Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Mbërrin kontigjenti i radhës nga COVAX me 38.400 vaksina, në total 62.400 doza!

Sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Kosova ka pranuar kontigjentin e dytë nga aleanca COVAX dhe vaksinimi do të vazhdojë në përputhje me Planin Kombëtar të Vaksinimit.

Në pritje të vaksinave ishin prezent Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, përfaqësuesit e shteteve të kuintit, Ambasadorja e Francës, znj. Marie-Christine Butel, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbot, Ambasadori i Gjermanisë, z. Joern Rohde dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare si drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Lisa Magno, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog, koordinatorja për zhvillim në UNDP znj. Ulrika Richardson dhe shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin.

Në emër të Republikës së Kosovës ministri Arben Vitia shprehu falënderimet e tij për solidarizimin që po bëhet përmes donacioneve, ndërsa përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të organizatave ndërkombëtare në Kosovë ritheksuan se do të vazhdojnë ta ndihmojnë Republikën e Kosovës në këtë luftë të përbashkët.

Vaksinat e pranuara janë të AstraZeneca.

Vaksinimi po vazhdon në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, me prioritet personat e regjistruar në platformën e-Kosova, fillimisht me komunat e Rajonit të Prishtinës për të vazhduar me komunat e tjera pastaj sipas orarit.