Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Mbi 100 gjoba ndaj shkelësve të Ligjit për kontroll të duhanit vetëm më javën e fundit

Kështu u bë e ditur në takimin e përfaqësuesve të Koalicionit Antiduhan, ku gjithashtu u njoftua edhe për fillimin e hulumtimit të tretë rreth zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë, që ka filluar nga sot të realizohet në 7 qendrat më të mëdha të Kosovës dhe komunat që gravitojnë në kuadër të tyre 

Prishtinë, 19 nëntor 2015 

Përfaqësues të Koalicionit Antiduhan në Kosovë (MSH, OBSH, AUVK, KADC…) zhvilluan sot një takim pune në Prishtinë gjatë të cilit analizuan ecurinë e deritanishme të inspektimeve të fundit të kryera nga ana e Inspektoratit Sanitar të Kosovës, me qëllim të zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë.

Në këtë takim u bë e ditur se gjatë inspektimeve të ditëve të fundit të zhvilluara nga ana e këtij Inspektorati në orët e mbrëmjes, me ekipe të kombinuara të inspektorëve dhe me mbështetjen e Policisë së Kosovë , të kryera në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Rahovecit, Mamushës dhe Suharekës janë dënuar 67 persona fizik dhe 40 subjekte afariste (kryesisht kafe bare), për shkak të shkeljes së Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Inspektorati Sanitar bëri të ditur se aksionet në orët e mbrëmjes do ta vazhdojnë sërish në këto Komuna dhe në të tjerat me radhë  dhe objekt i inspektimit do të jenë subjektet të cilat po denonocohen nga ana e qytetarëve të vendit përmes numrit  0800 11000 dhe formave të tjera.

Në këto inspektime, ekipet e inspektorëve po përdorin sistemin e rotacionit të inspektorëve, duke dërguar inspektorët e njërës komunë në tjetrën për inspektim dhe po mbështeten pa rezervë nga Policia e Kosovës, e cila ka mundësuar që përveç shqiptimit të gjobave për subjektet afariste, të njëjtat të shqiptohen edhe për individët që me rastin e inspektimeve gjenden duke thyer ligjin.

Gjithashtu, në këtë takim, u diskutua edhe për vazhdimin e fushatave të ndërgjegjësimit, përmbylljen e udhëzimeve administrative që dalin nga Ligji për Kontrollin e Duhanit, hartimin e   një Plani të veprimit për kontrollin e duhanit për vitet vijuese dhe masa të tjera që fuqizojnë zbatimin e këtij ligji në nivel vendi.

Përfaqësuesit e KADC-së, njoftuan në këtë takim se prej sot, në 7 qendrat më të mëdha të Kosovës ka filluar të realizohet hulumtimi i tretë rreth zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë.

Koalicioni Antiduhan u ka bërë thirrje edhe inspektorateve të tjera, në veçanti Inspektoratit të Tregut; të Punës dhe të Arsimit, që të ndërmarrin masa për zbatimin e ligjit brenda fushave të përgjegjësive të tyre.