Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Me ligjet në fuqi, AKPM i përgjigjet Ministrisë së Shëndetësisë

MSh sqaron se në bazë të nenit 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës , Agjencitë e Pavarura të Republikës së Kosovës janë institucione të krijuara nga Kuvendi, në bazë të ligjeve përkatëse, të cilat rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre.

Agjencionet e pavarura duhet krijuar nga Kuvendi me ligj përkatës, cili rregullon themelimin, funksionimin, kompetencat dhe fushëveprimin të atij Agjencioni.

Me rregulloren 2001/19 mbi Degën e Ekzekutivit të Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes së Kosovës, neni 3, paragrafi 3.1 (a) dhe 3.2 mbi bazën e të cilës janë themeluar dhe janë duke  funksionuar  të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe Agjencionin Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale, rregullore kjo që është ende në fuqi,  AKPM është nën Autoritetin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky nen përcakton se agjencitë ekzekutive të themeluara me ligj veprojnë brenda ministrive të cilave u janë bashkëngjitur nën autoritetin e ministrit përkatës (në këtë rast Ministrit të Shëndetësisë) dhe buxheti i agjencive sigurohet nga Ministria të cilës i janë bashkëngjitur ato, kurse me nenin 5, paragrafi 5.4 parashihet se kryeshefat ekzekutiv të agjencive ekzekutive janë në pozitë të barabartë me sekretarët e përhershëm të ministrive dhe mbajnë përgjegjësi direkte ndaj ministrit përkatës.

Në këtë aspekt, duke pasur parasysh se Agjencioni Ekzekutiv si Autoritet i Kosovës për Kontrollin e barnave është i themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut 2001/19, ai i përgjigjet ministrit dhe kryeshefi ekzekutiv mban përgjegjësi direkte ndaj ministrit të Shëndetësisë dhe nuk merr udhëzime nga asnjë qeveri, organizatë, institucion apo person përveç atyre që gëzojnë autoritetin e Ministrisë.

Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka për qëllim që të përcaktojë rregullat për prodhimin, kontrollin e cilësisë, regjistrimin, etiketimin, banderollat, importin, eksportin, tregtimin, përshkrimin mjekësor, efikasitetin, sigurinë e përdorimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale në Republikën e Kosovës.

Duke ju referuar qëllimit të këtij Ligji dhe duke ju referuar edhe vetë emërtimit të këtij Ligji: “Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale”  është e qartë se me këtë ligj përcaktohen rregullat  që kanë të bëjnë me produkte dhe pajisje medicinale dhe në asnjë mënyrë nuk mund të përcaktohet pavarësia e një agjencioni me Ligjin për produkte dhe pajisje medicinale.

Prandaj, MSh dëshiron t’i përkujtojë edhe AKPM-së, se: Agjencionet e Pavarura duhet të themelohen nga Kuvendi me ligjin përkatës dhe një ligj i tillë deri tash nuk është nxjerrë për këtë agjencion;  Me rregulloren 2001/19 mbi Degën e Ekzekutivit të Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes së Kosovës e cila është ende në fuqi, Agjencioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale është nën Autoritetin e Ministrisë së Shëndetësisë deri në ndryshimin e saj; dhe Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka për qëllim përcaktimin e rregullave për qarkullimin e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale dhe nuk rregullon pavarësimin e agjencionit përkatës.

MSh sqaron, gjithashtu, se nuk është aspak e vërtetë se MSH-ja po bllokon projekt-ligjin për Produktet dhe Pajisjet Medicinale, përkundrazi është duke iu përmbajtur Strategjisë legjislative sikur është përcaktuar në vendimin e kryeministrit Hashim Thaçi të datës 24.12. 2008 me të cilën miratohet strategjia Legjislative e Republikës së Kosovës për vitin 2009, vendimit të ministrit të Shëndetësisë Alush Gashi  të datës 11.12. 2008 ku Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale duhet të plotësohet si dhe në respektim të kësaj agjende legjislative, ky ligj është plotësuar nga grupi punues dhe MSh e ka proceduar atë në Zyrën e Integrimeve për harmonizim me legjislacionin evropian dhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për harmonizim të Deklaratës Financiare para se të procedohet në Qeveri.

Dhe, në bazë të Rregullores 5.5, 5.6 të punës së Qeverisë së Kosovës, nr.1/2007, Sekretari i përhershëm i Ministrisë bazuar në Strategjinë legjislativen cakton afatin kohor për perëndimin e draftit fillestar të projektligjit apo akteve nënligjore.

Prandaj, zyra Ligjore e Ministrisë sponzoruese është ajo që ka në kompetencë dërgimin e projektligjeve dhe dokumenteve përcjellëse në ZSHNJ/ZKM.

Dokumentet përcjellëse, deklarata financiare, shtojca 2 nënshkruhet nga ministri i Ministrisë sponzoruese dhe sekretari i përhershëm si dhe vlerësimi i ndikimit rregullativ nënshkruhet nga Drejtori i Departamentit ligjor.