Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Me moton: “E dua Kosovën pa tym duhani” shënohet Dita Ndërkombëtare kundër duhanit

Prishtinë, 31 maj 2015

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Zyra e OBSh-së në Kosovë dhe Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) sot në Prishtinë u shënua 31 Maji-Dita Ndërkombëtare kundër duhanit, me motton: ” E dua Kosovën pa tym Duhani”.

Në këyë ditë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, OBSh-së, KADC-së dhe inspektorateve zbatuese të ligjit kanë bërë thirrje për një ndërgjegjësim më të madh për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë, të miratuar dy vjet më parë, duke qenë që qëllimi kryesor i ligjit është mbrojtja e shëndetit të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, ekonomike, sociale dhe mjedisore që i shkakton duhani.

Anëtarëve të Koalicionit Antiduhan yë Kosovës (MSh, OBSH, KADC dhe organizatave të tjera), në shënimin e kësaj dite u është bashkuar edhe ish-Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, aktualisht Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i cili ka theksuar rëndësinë e madhe që ka për shëndetin e njëri-tjetrit në Kosovë zbatimi i këtij ligji.

Dr. Skënder Syla , shef i OBSH-së ka vënë theksin te pasojat nga duhanpirja dhe në veçanti tregtia e paligjshme e produkteve të tij, ndërkohë që Ilirjana Zymberaj, drejtoreshë e Inspektoratit Sanitar (AUV) dhe Shaban Osmanaj nga Inspektorati Shëndetësor (MSh), kanë raportuar për masat e ndërmarra nga këto dy inspektorate në zbatimin e ligjit.

Shkumbin Spahija, drejtor ekzekutiv i KADC-së, ka prezantuar rezultatet e monitorimit të dytë të zbatimit të LKD në Kosovë, derisa shënimit të ditës me mesazhe kundër duhanpirjes i janë bashkuar edhe Federata e Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve të Kosovës, të cilët në këtë shënim i ka përfaqësuar kryetari i tyre Arben Lila.

Koordinatori shtetëror për Kontrollin e Duhanit, Faik Hoti, ka thënë se rruga për zbatimin e këtij ligji dhe reduktimin e duhanpirjes është e gjatë dhe e vështirë, por dy vite përvojë me ligjin e ri, kanë dëshmuar se nëse ka përkushtim nga institucionet dhe mbështetje nga shoqëria civile dhe qytetarët, ky ligj mund të zbatohet.

Në këtë shënim, shefi i OBSh-së për Kosovë, dr. Skënder Syla, i ka ndarë solemnisht KADC-së çmimin për rezultate konkrete në politikat e kontrollit të duhanit, të cilin kësaj organizata ia ka ndarë Drejtoresha e përgjithshme e OBSh-së, znj. Margaret Chen, duke qenë që KADC është në mesin e organizatave dhe subjekteve të pesë shteteve të przgjedhura për Evropë që kanë bërë progres në zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Më pas, me qëllim të ndërgjegjësimit për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit është organizuar ecja ” E dua Kosovën pa tym duhanit”, prej sheshit Skënderbeu në kryeqytet deri në Parkun e Gërmisë, në një distancë 5.6 kilometrash, përgjatë të cilës ecje, janë dhënë mesazhe për një stil të shëndoshë të jetës, pa tym duhani dhe me sa më shumë aktivitet fizik.