Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Me një “ditë të hapur” në Shtime vazhduan aktivitetet për shëndetin mendor

Dr. Kadir Hyseini, zëvendësministër i Shëndetësisë tha se dita e stome është “një moment i mirë që të gjithë së bashku  të shohim dhe analizojmë rezultatet në fushën e shëndetit mendor dhe gjithashtu të shprehim gatishmërinë që si institucione të bëjmë krejt çka është e mundur që trajtimi i Personave me Aftësi të Kufizuara Mendore, me Sëmundje Psikiatrike si dhe Prapambetje Mendore ta ketë kujdesin e merituar”. Natyrisht, tha ai, në këtë proces përgjegjësitë janë të përbashkëta dhe ato nisin nga institucionet e përfundojnë te shoqëria, rrethi dhe familja.
“Ministria e Shëndetësisë, është koshiente për kompeksitetin e trajtimit të gjithanshëm të kësaj problematike, nevojave që i ka ajo, mirëpo, duke i parë këta njerëz si pjesë integrale e shoqërisë sonë, ka zhvilluar një reformë në fushën e shëndetit mendor, dhe për dallim prej vendeve të rajonit, në vend të ndërtimit të spitaleve psikiatrike, është shkuar me ndërtimin e qendrave integruese në komunitet, që ka dhënë rezultate të mira”, tha Hyseini
Duke rikujtuar se me reformat në shëndetësi do të ndryshojnë pozitivisht edhe mundësitë buxhetore për Shëndetin mendor, Hyseini rikujtoi atë që ditë më parë e kishte thënë Ministri Agani në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor” së .“Në këtë vend, po e përsëris atë që e tha Ministri Agani me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor se investimi  më i mirë në shëndetësi është investimi në shëndetin mendor”, parafrazoi Hyseini.

Fatmir Shurdhaj , Zëvendësministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale theksoi se që nga viti 2006. MSH dhe MPMS kanë ndarë përgjegjësitë për këtë fushë duke rritur kujdesin shëndetësor dhe mirëqenien e rezidentëve në institucionin në Shtime.Kurse, Ariana Qosaj- Mustafa, këshilltare e Presidentes Atifete Jahjaga ka shprehur mbështetjen e të parit të vendit për fuqizimin e përkujdesjes për personat me Aftësi të Kufizuara Mendore, me Sëmundje Psikiatrike si dhe Prapambetje Mendore nga institucionet dhe shoqëria kosovare.
Drejtoresha e QKRMT Feride Rushiti ka folur për aktivitetet e kësaj qendre në ndihmën për rritjen e përkujdesjes për këtë kategori, ndërsa Drejtori i QIRSKP, dr. Ajet Bunjaku tha se në qendër aktualisht janë 58 rezidentë, prej të cilëve 39 janë nga Kosova, ndërsa 19 të tjerë janë rezidentë të nacionalitetit serb nga Serbia. Bunjaku tha se vizitat si kjo e ditës së sotme, do të kontribuojnë në eliminimin e paragjykimeve negative që ekzistojnë ndaj këtij institucioni dhe do të ndihmojnë që rezidentët e qendrës të mos stigmatizohen, por të shihen si pjesë e shoqërisë, të cilëve duhet ndihmuar.