Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Me porosinë: “Zgjidh shëndetin dhe jo duhanin”, shënohet Dita Botërore pa duhan

Prishtinë, 31 maj 2018 

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha sot se përdorimi i duhanit është problem global i shëndetit publik dhe se pesë vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë janë krijuar shumë mjedise 100% pa duhan, por që  të gjithë duhet të angazhohen më shumë që ligji të zbatohet në tërësi, dhe jo vetëm aty–këtu.  

“Dëshmitë e reja shkencore përditë e më tepër e alarmojnë botën se tymosja e duhanit po e rrezikon seriozisht shëndetin e përgjithshëm të popullatës. Në këtë kontekst, një prej qëllimeve kryesore të Ditës Botërore Pa Duhan në Kosovë – është ngritja e vetëdijes mbi prevalencën e pirjes së duhanit dhe efektit të saj te fëmijët/nxënësit”,  tha Ministri Ismaili. 

Ai deklaroi kështu në shënimin e Ditës Botërore pa Duhan që u organizua nga Zyra e OBSH-së në Kosovë, MSh, IKSHP e KADC me moton: “Duhani thyen zemrat, zgjidh shëndetin jo duhanin”. 

Ministri tha se qëllimi është që të inkurajohet një mbështetje e fortë publike dhe politike kundër pirjes së duhanit, për të parandaluar shumë prej implikimeve serioze shëndetësore të cilat ndërlidhen me thithjen e tymit të duhanit, ndërkohë që paralajmëroi një sërë masash të cilat përmes zbatimit të këtij ligji prioritet do ta kenë ruajtjen e shëndetit të fëmijëve që është prioritete i MSh-së. Ai tha se një numër i konsiderueshëm organesh mbikëqyrëse dhe të ekzekutimit për zbatimin e këtij ligji (secili në sektorin e vet), kanë treguar mangësi në rezultate në bazë të kompetencës së tyre të përcaktuar me ligj, por theksoi se MSh bashkë me institucionet e tjera përgjegjëse do t’i adresojë edhe sfidat e dala nga Raporti i Progresit për të siguruar zbatimin e këtij ligji. 

Shefja e Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Ardita Tahirukaj tha se, sipas raportit të ri të kësaj organizate, përdorimi i duhanit ka rënë ndjeshëm që nga viti 2000, por reduktimi është i pamjaftueshëm për të përmbushuar objaktivat e miratuara globalisht për mbrojtjen e njerëzve nga vdekja, vuajtjet nga sëmundjet kardiovsakulare dhe sëmundjet jo ngjitëse.

“Qeveritë kanë fuqinë në duartë e tyre për të mbrojtur qytetarët e tyre nga sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet e panevojshme…Një shtet i shëndetshëm është një shtet i pasur”, tha ajo, duke theksuar se edhe vet shteti i Kosovës dhe popullsia e saj e re do të përfitonte nga zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit i aprovuar në vitin 2013, i cili është në përputhje me Konventën Kornizë të OBSh-së . 

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani tha se prevalenca e përdoruesve aktualë të duhanit në mesin e të rinjve (13-15 vjeç) krahasuar me hulumtimin e kaluar (GYTS I 2004) nga 6.7 % është ulur në 4.4% (2016), ndërkohë që ekspozimi ndaj tymit të duhanit brenda ndonjë ambienti të mbyllur është ulur nga 84% në 43%, derisa prevalence e përdoruesve aktualë të duhanit në mesin e të rinjve krahasuar me hulumtimin e kaluar është nga 10.4% në 8.8%. 

Arben Lila nga KADC (Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim), tha se pas pesë vjetësh që prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, Qeveria qendrore, autoritete komunale, shoqëria dhe qytetarët mund të bjnë më shumë duke mbështetur zbatimin e ligjit në vendet publike pa duhan, vendet e punës, spitale, administratë, shkolla dhe të mbrojnë qytetarët nga efektet negative të duhan-pirjes. Ai tha se edhe sektori komercial duhet të respektojë ligjin dhe të sigurojë ambiente 100% pa tym duhani, ndërkohë që, u shpreh se është evidente se zbatimi këtij ligji do të jetë një përkushtim afatgjatë, ndërsa Kosova është në kilometrin e pestë të kësaj maratone që synim ka mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve.