Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Me thirrjet për reduktim të përdorimit të tyre, shënohet Java Botërore e Vetëdijesimit për Antibiotikë

Prishtinë, 16 nëntor 2015

Me thirrjet për reduktim të përdorimit të antibiotikëve, sikurse në shumë vende të botës, edhe në Kosovë u shënua Java Botërore e Vetëdijesimit për Antibiotikët, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar I Shëndetësisë Publike, në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë.

Me rastin e kësaj dite, u prezantuan edhe të dhënat e reja mbi rezistencën globale dhe lokale në antibiotikë si dhe u promovua përkthimi shqip i Udhërrëfyesve të OBSh-së për Higjienën e duarve në Kujdesin Shëndetësor.

Dr. Izet Sadiku, Zëvendësministër i Shëndetësisë tha se duke marrë në konsideratë faktin që rezistenca andaj antibiotikëve është një ndër kërcënimet më të mëdha të shëndetit global, kësaj problematike është duke i kushtuar rëndësi dhe në Kosovë, kurse MSh ka ngritur Grupin punues për hartimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike, që do të mundësonin një përshkrim më racional të antibiotikëve, dhe do të marr në shqyrtim edhe mundësinë e nxjerrjes së një vendimi që kufizon përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve me qëllim që të bëhet reduktimi i përdorimit të tyre.

Dr. Curr Gjocaj, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës tha se përdorimi i pa kontrolluar i antibiotikëve rrit rrezikun e shfaqjes së mikrobeve rezistente dhe kjo direkt ndikon në rrezikimin e shëndetit të atyre që i përdori, prandaj për këtë arsye, ka kërkuar të ketë kujdes të shtuar në rastet kur përshkruhen antibiotikët, por në të njëjtën kohë me aq sa ka mundësi dhe lejojnë rrethanat të përcillet edhe reagimet që mund të kenë pacientët pas përdorimit të antibiotikëve, e gjithë kjo në kuadër të tërë SHSKUK-së, ku bëjnë pjesë 57 njësi, institucione publike shëndetësore, përfshirë aty dytësore dhe tretësore .

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se Java botërore e vetëdijesimit për antibiotikë ka për qëllim që të ngre vetëdijen për rezistencën antimikrobike si dhe të inkurajojë praktikat më të mira në mesin e publikut të gjerë, profesionistëve shëndetësor dhe politikë-bërësve për të shmangur shfaqjen dhe shpërndarjen e mëtutjeshme të rezistencës ndaj antibiotikëve “Ne jemi të lumtur që Kosova i bashkëngjitet kësaj kampanje globale. Jemi po ashtu të lumtur për promovimin e udhërrëfyesit për higjienën e duarve, një hallkë shumë e rëndësishme për sigurinë e pacientit dhe parandalimin e infeksioneve brenda institucioneve shëndetësore”, tha dr. Syla.

Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së tha se Strategjia për parandalimin e rezistencës antimikrobike është duke dhënë rezultatet e saj dhe në mesin e institucioneve shëndetësore ka një ngritje të vetëdijes rreth përdorimit racional të tyre, sado që ende ka nevojë që përdorimi i antibiotikëve të reduktohet dhe ata të përdoren vetëm në rastet kur profesionistë shëndetësor vlerësojnë se është e domosdoshme. Ai tha se IKSHP është në proces të renovimit të përgjithshëm të laboratorit të mikrobiologjisë dhe avancimi i tij do të mundësojë të testohet edhe për rezistencën antimikrobike.

Kurse, eksperti i mikrobiologjisë, dr. Lula Raka (IKSHP) ka bërë një prezantim rreth “Antibiotikët dhe rezistenca: risitë globale dhe lokale”, ku ka theksuar faktin se në nivel global, përdorimi i antibiotikëve është rreth 31%, kurse Kosova ndodhet në nivelin 33%, por ka tërhequr vërejtjen për përdorimin e shtuar të antibiotikëve nga familja e Cefalosporineve (Ceftriaksonit), sidomos në Kujdesin Parësor te infeksionet e rrugëve të poshtme respiratore.

Ai ka thënë se, me gjithë përdorimin e shtuar të kësaj kategorie të antibiotikëve, ka një trend të rënies nga 41% (në total) në 36%, por që duhet të ulet edhe më tej, ndërkohë që përkundër vështirësive të shprehura, ai ka thënë se Grupi Ndërsektorial për Kontrollin e Rezistencës Antimikrobike, ka arritur që të realizojë 69.7 % të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Rezistencën Antimikrobike të miratuar më 2011 nga Ministria e Shëndetësisë.

Kurse dr. Sami Uka (OBSH), prezantoi përmbajtjen e Udhërrëfyesit të OBSh-së për Higjienën e duarve në Kujdesin Shëndetëso, që u promovua sot në gjuhën shqipe.

Rezistenca andaj antibiotikëve është një ndër kërcënimet më të mëdha të shëndetit global. Ajo po rritet me ritëm të frikshëm në të gjitha pjesët e botës. Shfaqja dhe përhapja e mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve është kërcënim për ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë për herë të parë po udhëheq një fushatë globale me moton “ Antibiotikët: përdorni me kujdes”, duke ftuar individët, qeveritë, profesionistët shëndetësorë e bujqësorë të ndërmarrin veprime konkrete për ta adresuar këtë problem urgjent.