Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Me thirrjet për vaksinim të fëmijëve, shënohet edhe në Kosovë Java Evropiane e Imunizimit

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se vaksinimi i fëmijëve sipas Kalendarit vjetor të vaksinimit me vaksinat e obliguara me ligj ka krijuar një traditë të mirë në dy-tre deceniet e fundit dhe  shifra prej mbi 95 % të fëmijëve të vaksinuar, flet për një sukses të përbashkët të MSh-së, IKSHP-së, partnerëve si OBSH e UNICEF-i dhe vet profesionistëve shëndetësor. 

Prishtinë, 25 prill 2016

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Zyra e UNICEF-it dhe OBSH-së në Kosovë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, sot në Prishtinë është shënuar fillimi i Javës Evropiane së Imunizimit (24-30 prill 2016)

Ceremonia e hapjes së kësaj jave është mbajtur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ku Ministri i Shëndetësisë dhe zyrtarë të lartë të IKSHP-së, UNICEF-it, OBSH-së, autoriteteve lokale shëndetësore të Prishtinës dhe profesionistë shëndetësor kanë adresuar mesazhin e nevojës së vaksinimit të fëmijëve si mënyra më e lirë dhe më efikase për mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet ngjitëse të parandaluara.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se vaksinimi i fëmijëve sipas Kalendarit vjetor të vaksinimit me vaksinat e obliguara me ligj ka krijuar një traditë të mirë në dy-tre deceniet e fundit. Dhe, shifra prej mbi 95 % të fëmijëve të vaksinuar, tha ai, flet për një sukses të përbashkët të MSh-së, IKSHP-së, partnerëve si OBSH e UNICEF-i dhe vet profesionistëve shëndetësor. “Për këtë sukses, duhet falënderuar në rend të parë profesionistët shëndetësor dhe ne i kemi mundësitë që këtë sukses ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha Ministri Rrahmani.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani tha se Programi i Zgjeruar i Imunizimit do të vazhdojë me përkushtim, ndërsa synimi përmes këtij procesi është që fëmijëve në Kosovë t’u sigurohen vaksina cilësore dhe me çmime të arsyeshme përmes UNICEF-it.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së, tha se Java Evropiane e Imunizimit është një moment për të bërë thirrje që të vazhdohet me përmbushjen e Programit të Zgjeruar të Imunizimit, duke mundësuar që krahas cilësisë dhe çmimit të arsyeshëm, vaksinat t’u sigurohen më kohë fëmijëve për mbrojtjen e tyre.

Zëvendësshefi i UNICEF-it në Kosovës, James Mugaj, tha se UNICEF-i do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha autoritetet shëndetësore në Kosovë, në mënyrë që furnizimi me vaksina të jetë i qëndrueshëm, ndërsa Java e Imunizimit është një moment për të ngritur vëmendjen e publikut për rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve.

Doajeni i Epidemiologjisë në Kosovë, profesor Isuf Dedushaj, tha se falë vaksinimit në shkallë të gjerë në Kosovë pas vitit 1999 e këtej, Kosova ka çrrënjosur disa sëmundje ngjitëse, ndërkohë që është vendi i parë i rajonit në të cilin nuk janë shënuar raste të fruthit më 2013 kur në vendet e rajonit kishte epidemi të kësaj sëmundjeve.

Për rëndësinë e vaksinimit dhe angazhimet në nivel të Prishtinës, ka folur dr. Nexhmedin Hoti, Shef i Shërbimit të Vaksinimit i QKMF-së në Prishtinë, duke vënë në spikamë angazhimin  e mantel-bardhëve në përmbushjen e këtij procesi të rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Java Evropiane e Imunizimit në Kosovë synon që përmes aktiviteteve të organizuara të rris vetëdijesimin për imunizimi, e rrjedhimisht edhe  përmirësimin e statusit shëndetësor të fëmijëve në Kosovë që është prioritet kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHP-së, UNICEF-it e OBSH, me qëllimin që të parandalohet rishfaqja e sëmundjeve ngjitëse të cilat shkaktojnë paaftësi dhe vdekje, dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë një mundësi të barabartë për një të ardhme të shëndoshë.