Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministrat e Shëndetësisë Beqaj dhe Rrahmani takohen në Tiranë

Ministrat Beqaj e Rrahmani kanë rikonfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të nisur më herët ndërmjet sektorëve të kujdesit shëndetësor të dy vendeve

Prishtinë, 14 janar 2015

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Beqaj, priti sot në një takim pune Ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Dr. Imet Rrahmani, në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit që prej marrjes së detyrës.

Duke i uruar mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e ngarkur rishtazi kreut të shëndetësisë së Kosovës, Ministri Beqaj rikonfirmoi vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të nisur më herët ndërmjet sektorëve të kujdesit shëndetësor të dy vendeve.

Marrëveshja e bashkëpunimit mbulon praktikisht të gjitha aspektet e kujdesit shëndetësor, me qëllim kryesor përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët e Kosovës edhe të Shqipërisë, tha midis të tjerash z. Beqaj në takim. “Ndërkohë,” – vazhdoi më tej ai, “edhe institucionet tona shëndetësore kanë vendosur bashkëpunimin e tyre përkatës, siç janë: institucionet që rregullojnë tregun e barnave; institucionet që inspektojnë kujdesin shëndetësor; qendrat kryesore universitare; institucionet e shëndetit publik; fondet respektive (të sigurimeve shëndetësore) dhe padyshim, bashkëpunimi më i hershëm dhe më i ngushtë që ndodh midis vetë mjekëve, midis qendrave universitare, por edhe spitaleve.”

Konfirmojmë, theksoi kreu i shëndetësisë shqiptare, se bashkëpunimin do ta vazhdojmë edhe në një aspekt më të plotë, por edhe duke i mëshuar shumë edhe asaj që mund të jetë një bashkëpunim ndërkufitar.  “Kështu, jemi të interesuar që boshllëqet që ne ende kemi në kujdesin shëndetësor që ne ofrojmë,” – vazhdoi më tej ai, “kryesisht në aksin Bajram Curri-Has-Kukës, të mund ta plotësojmë në një kohë sa më të shpejtë, me atë çfarë mund të përfitohet në Prizren dhe në Gjakovë, – jo vetëm për distancën shumë më të afërt gjeografike se sa me Tiranën, – por edhe për atë çfarë ofrohet më shumë atje më shumë, në krahasim me këtë pjesë të spitaleve tona.”

Ndërsa Ministri Rrahmani, shpjegoi ndërmjet për mediat e pranishme mundësitë për ngritjen e bashkëpunimit në nivele më të larta dhe ndihmës që mund të ofrojë shteti shqiptar ose shëndetësia shqiptare për sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Natyrisht që ne kemi arritje të shumta vitet e fundit në shëndetësi,” – tha Ministri Rrahmani, duke shtuar se “ndërkohë, kemi nevoja të ndryshme në fusha specifike, ku ashtu siç tha edhe ministri Beqaj, u dakorduam që grupet e ekspertëve të identifikojnë nevojat e dy sistemeve dhe të vendosen bashkëpunime korrekte”. Është imperative, ka shtuar ai,  që të nxisim edhe bashkëpunimin ndërkufitar, me qëllim që qytetarëve tanë t’i ofrojmë shërbime shëndetësore sa më cilësore, duke uruar që “bashkëpunimi i shoqatave të ndryshme të profesionistëve, dhe të pacientëve në nevojë, të ngrihet në nivele institucionale.”