Ministri Agani e ka njohur delegacionin nga Evropa lidhur me ecurinë e sëmundjes së Etheve Hemorragjike në Kosovë, qasjen që ndaj kësaj problematike kanë institucionet kosovare dhe ka vlerësuar se vizita e këtij ekipi të ekspertëve nga Evropa është një kontribut i drejtpërdrejt për ekipin kosovare në ballafaqimin me problematikën e sëmundjeve infektive në Kosovë, në veçanti me Ethet Hemorragjike Krime Kongo.
“Ky bashkëpunim dhe vizita juaj është një kontribut i drejtpërdrejt për shpëtimin e jetëve në terren”, theksoi ministri Agani.
Ai i ka njohur ekspertët evropianë edhe me hapat që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë për krijimin e Strategjisë për kontrollin e sëmundjeve infektive dhe ka mirëpritur faktin që Kosova të jetë pjesë aktive në rrjetin e institucioneve rajonale dhe evropiane për bashkëpunim për trajtimin e sëmundjeve infektive.
Delegacioni i ekspertëve nga Evropa, gjatë qëndrimit në Kosovë, kanë vizituar laboratorin mikrobiologjik në IKSHP, Klinikën infektive të QKUK-së, ndërsa gjatë ditës së nesërme , do të vizitojë zonat endemike në Kosovë për Ethet Hemorragjike Krime Kongo.