Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani bisedon me Kryetarin e Ferizajt Sfarça për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe Spitalin e ri të qytetit

 Prishtinë, 16 janar 2013

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, i shoqëruar nga Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Shkumbin Spahija, drejtor ekzekutiv i KADC-së dhe Faik Hoti, drejtor i Informimit në MSh, u prit sot në takim nga Kryetari i ri i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarça me bashkëpunëtorë.

 

Në këtë takim në të cilin kanë marrë pjesë edhe drejtori i Spitalit të Ferizajt, Gëzim Bajrami dhe drejtori i Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Ferizaj, Sylejman Topalli, u bisedua për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit në këtë komunë, hapat për fillimin e projektit për ndërtimin e Spitalit të ri të Ferizajt, Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike në Ferizaj dhe aspekte të tjera që lidhen me përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj komune dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

 

Ministri Agani, pasi i ka dëshiruar sukses në mandatin e tij kryetarit të ri të Ferizajt, z. Sfarça, ka shprehur gatishmërinë e MSh-së për të ndihmuar shëndetësinë në këtë komunë, duke kërkuar në mënyrë të veçantë involvimin sa më të madh të autoriteteve lokale në zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe një koordinim sa të efektiv të veprimeve të përbashkëta.

 

Ministri Agani, në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit, tha se ky ligj ka sjellë një realitet të ri sa i përket shëndetësisë publike në vend dhe autoritetet zbatuese dhe monitoruese e kanë për obligim që në bashkëpunim me qytetarët, subjektet afariste dhe përkrahjen edhe të shoqërisë civile ta zbatojnë ligjin.

 

Ai u informua nga autoritetet lokale për aksionet e ndërmarra në këtë komunë gjatë kësaj jave me qëllim të zbatimit të ligjit, ku janë kryer dhjetëra inspektime me ekipe të kombinuara të inspektorëve edhe nga qendrat e tjera.

 

Nga ana e tij, Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarça, shprehu përkushtimin e tij që Ligji për Kontrollin e Duhanit të zbatohet në këtë komunë, me mirëkuptim të qytetarëve dhe veprime të autoriteteve zbatuese, duke qenë që ai sjell përfitime për shëndetin e qytetarëve të Ferizajt.

 

Përveç kësaj teme në të cilën kanë shprehur përkushtimin e tyre edhe Shefi i OBSh-së, Dr. Skënder Syla, i cili ka përkujtuar pasojat fatale që sjell duhan-pirja dhe drejtori i KADC-së, Shkumbin Spahija, Ministri ka biseduar me Kryetarin Sfarça edhe për Spitalin e Ferizajt, për fillimin e ndërtimit të së cilit, vitin që shkoi MSh ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Komunën e Ferizajt.

 

“Ministria ka ndarë 200 mijë euro për vitin 2014 për fillimin e ndërtimit të Spitalit, Komuna e kuptuam, po ashtu që ka parashikuar një sasi të mjeteve, derisa një pjesë të tyre duhet të bëjmë çmos që t’i sigurojmë edhe përmes donatorëve dhe kredive të buta eventuale”, tha Ministri Agani. Ai theksoi se MSh është e gatshme që të kontribuojë në këtë drejtim, sapo autoritetet lokale t’i kenë përfunduar procedurat në Asamblenë Komunale lidhur me lokacionin dhe aspektet e tjera teknike.

 

Gjithashtu, në takim u bisedua edhe për gjetjen e mundësive që Instituti Rajonal i Shëndetësisë Publike në Ferizaj të bëhet me një objekt të ri më të përshtatshëm me qëllim që ta zhvillojë aktivitetin e vet në rrethana më të mira.

 

Ishte konstatim i përbashkët në këtë takim që të ketë involvime sa më aktive në zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, derisa do të punohet bashkë midis MSh-së dhe Komunës së Ferizajt që Spitali i ri të fillojë së ndërtuari sa më parë, duke e njohur si shumë të nevojshëm ndërtimin e tij në një qendër regjionale, siç është Ferizaj që numëron rreth 130 mijë banorë.