Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani bisedon me një mision të OBSH-së nga Evropa për çështjet mjedisore dhe shëndetin

Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin dhe projektet e ardhshme të mundshme midis kësaj zyre dhe institucioneve kosovare lidhur me çështjet mjedisore dhe shëndetësore, me theks të posaçëm, me aktivitetet në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, misioni i Qendrës Evropiane të OBSH-së për Mjedis dhe Shëndet po viziton dhe po zhvillon takime me institucione të ndryshme në Kosovë, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Zyrën e Komisionit Evropian, organizata të shoqërisë civile, etj., me qëllim të identifikimit të sfidave kryesore në adresimin e çështjes së mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit.

Ministri Agani ka falënderuar përfaqësuesit e këtij misioni, duke e konsideruar vizitën shumë të rëndësishme dhe i ka njohur ata me sfidat kryesore sa i përket mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës kosovare, kapacitetet në dispozicion dhe nevojat në fushën e fuqizimit të këtyre kapaciteteve.

Znj. Elizabeth Paunoviq ka vlerësuar se Qendra, në bashkëpunim me MSH-në dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës mund të fillojë shumë shpejt me organizimin e takimeve, punëtorive dhe formave të tjera të bashkëpunimit dhe projekteve, në mënyrë që të përforcohen kapacitetet teknike të IKSHP-së dhe institucioneve të tjera për adresimin e problemeve mjedisore që lidhen me shëndetin në Kosovë sikur janë ndotja e ajrit dhe ujit, në kuadër të projekteve të Ekipit të Agjencioneve të Kombeve te Bashkuara në Kosovë (UNKT).

Ministri Agani ka mirëpritur projektet e përbashkëta dhe ka premtuar se çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe ndikimin e tyre në shëndet do të adresohen edhe në komunikimet dhe trupat ndërministrore, ndërsa situata serioze sa i përket ndotjes së ajrit, ka theksuar ai, kërkon që këto çështje të trajtohen me prioritet të lartë.