Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe Ambasadori austriak Brieger bisedojnë për bashkëpunimin Kosovë – Austri në shëndetësi

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot në një takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Johann Brieger, bashkë me përfaqësues të Grupit mjekësor austriak “Vamed Group”.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Ramadan Avdiu.
Në takim është biseduar për bashkëpunimin midis Kosovës e Austrisë në fushën e shëndetësisë.

Ministri Agani e ka informuar Ambasadorin Brieger për procesin e reformave në shëndetësi, në veçanti për Projektligjin për sigurime shëndetësore dhe impaktin që do ta ketë ky ligj pasi të miratohet në sistemin shëndetësor të Kosovës, angazhimet për realizimin e tyre, ndërkohë që ka falënderuar shtetin austriak për ndihmën e hershme dhe konstante që i ka ofruar Kosovës.
Duke folur për sfidat në shëndetësi, Ministri Agani ka theksuar fushën e kardiokirurgjisë, atë të onkologjisë dhe të ortopedisë, ku do të mund të bashkëpunohej me partnerët nga Austria në kuadër të projekteve të ndryshme.
Nga ana e tij, Ambasadori Brieger shprehu kënaqësinë dhe mbështetjen e tij për reformat në shëndeti dhe po ashtu edhe interesimin e kompanive austriake për të bashkëpunuar në shëndetësinë kosovare sidomos në fushat që janë më kritike.
Në këtë takim është shprehur zotimi i dyanshëm për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat me interes për dy vendet, ndërsa Ministri Agani ka shprehur përkushtimin e Ministrisë që të zhvillojë projekte të përbashkëta me partnerët nga Austria në fushën e shëndetësisë.