Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe Ambasadori gjerman Blomeyer mirëpresin donacionin gjerman për shëndetësinë kosovare

Karvani me ndihma humanitare mjekësore të organizatës humanitare gjermane” Biker Brummi-Hilfe e.V” (BBH), që sollën në Kosovë pajisje për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë dhe në Istog, është projekt që zhvillohet nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe të Ministrit Federal për Punë të Jashtme të Gjermanisë, z. Frank Walter Steinmeier.

 

Prishtinë 1 qershor 2014

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Blomeyer, i dëshiruan sot mirëseardhje në Kosovë, karvanit me ndihma humanitare mjekësore të organizatës humanitare gjermane” Biker Brummi-Hilfe e.V” (BBH)  , që në bashkëpunim me “Eurobiker Charity Croatia” sollën në Kosovë pajisje për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë dhe në Istog.

 

Ky donacion, i përbërë prej 17 kamionëve 40 tonësh, disa prej të cilëve më parë ishin ndalur në Kumanovë, të cilës i është dedikuar një pjesë e donacionit, ndërsa një pjesë do t’i shkojë nesër edhe Rrëshenit dhe Tiranës, bartës të projektit ka BBH, është projekt që zhvillohet nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe të Ministrit Federal për Punë të Jashtme të Gjermanisë, z. Frank Walter Steinmeier.

 

Karvani me pajisje mjekësore donacion për shëndetësinë kosovare është përcjell edhe me automjete mjekësore të kampingut dhe rreth 100 motoçiklistë nga rreth 10 kombe të ndryshme nga rrjeti i eurobikerave, me moton: “Solidarity and Integration on the the Ballkan”.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani duke falënderuar shtetin gjerman për këtë donacion, të cilin e vlerësoi si një kontribut të drejtpërdrejt të shtetit gjerman për të përçuar mesazhin e paqes dhe të bashkëpunimit midis popujve në rajon në rrugën drejt integrimeve.

“Ky donacion përveç vlerës së tij në pajisje për institucionet shëndetësore, e ka vlerën e vet edhe në aspektin e fuqizimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit  me institucionet gjermane dhe flet edhe për besimin dhe mbështetjen e këtij shteti për reformat në shëndetësinë kosovare”, tha Ministri Agani.

 

Ambasadori gjerman, Peter Blomeyer tha se iniciativa për të ndihmuar me pajisje ka qenë e mjekëve gjerman, të cilët kanë vizituar qendrat shëndetësore në Kosovë, kanë mbajtur evidencë për nevojat dhe kur janë kthyer në Gjermani, bashkë me qytetarët gjerman, kanë mobilizuar pajisje në mënyrë që të ndihmojnë shëndetësinë kosovare. “Këto pajisje duhet mbajtur në jetë, kështu që ne do të ndihmojmë edhe stafin që t’i mirëmbaj në vazhdimësi ato që t’u shërbejnë institucioneve dhe qytetarëve kosovar”, tha Ambasadori Blomeyer.

 

Kurse, Dr. Hermann Munzel (BBH) dhe njëherësh iniciatori i këtij projekti, tha se kjo iniciativë ka nisur para katër muajve kur ai kishte vizituar disa qendra mjekësore në Kosovë, ndërsa donacioni ka në përbërjen e tij pajisje mjekësore, inventar mjekësor dhe materiale të tjera të nevojshme për qendrat shëndetësore.

 

Donatorët i kanë dërguar sot pasdite pajisjet në Klinë dhe në Istog, ndërsa misioni i tyre humanitar, do të vazhdojë edhe nesër në Rrëshen e Tiranë të Shqipërisë, ku gjithashtu do të dhurojnë një pjesë të donacionit, në kuadër të projektit të tyre humanitar.