Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe Ambasadori italian Giffoni prezantojnë hapjen e Kardiokirurgjisë në QKUK

Hapja e këtij shërbimi në QKUK u vlerësua si arritje e madhe, ndërkohë që pacientja e nacionalitetit boshnjak F. Sh. e cila pati fatin të jetë e para paciente që i nënshtrohet ndërhyrjes në zemër nga ekip i kardiokirurgëve kosovarë, i asistuar nga kolegët e tyre italianë, u shpreh e kënaqur me suksesin e operacionit dhe tha të ndihej shumë mirë. Ndërkohë, një pacient tjetër është përgatitur dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes javën tjetër në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në QKUK.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se hapja e kardiokirugjisë në sektorin publik (QKUK) është një hap i madh përpara në shëndetësinë kosovare dhe rikujtoi se me kompletimin edhe të Shërbimit të Onkologjisë me aplikimin e radioterapisë kurative, po përmbyllet një zinxhir i rëndësishëm i ofrimit të shërbimeve shëndetësore, të cilat i kanë munguar sektorit publik në Kosovë.
“Ndërhyrja në kardiokirurgji tregon edhe për potencialet e mëdha mjekësore që i ka Kosova, por edhe për faktin që shëndetësia kosovare ka filluar ta marr veten dhe në vijim do të kemi edhe suksese dhe hapa të tjerë të mëdhenj”, tha Ministri Agani.
Ai i shprehu një falënderim të veçantë Qeverisë italiane për mbështetje projektit të Kardiokirugjisë publike, në vlerë prej 1.8 milionë eurove, si pjesë e përkrahjes shëndetësore në 3 milionë euro dhe shtoi se projekti i kardiokirurgjisë do të ketë një kontinuitet dhe pret rezultate të mëdha.
Ministri Agani falënderoi kardiokirurgët kosovarë Bekim Dula, Raif Cavolli dhe Adem Gorgollari, të cilët investuan dijen e tyre profesionale për hapjen e këtij shërbimi, kardiokirurgët italianë të kryesuar nga profesor Martinelli, kardioanesteziologët dhe kardioperfuzionistët kosovarë, të cilët ishin pjesë e ekipit që startuan punën në këtë shërbim si dhe mjekët dhe Spitalin privat “International Medicine Hospital”, të cilët në kuadër të një partneriteti kanë ndihmuar në hapjen e shërbimit të Kardiokirurgjisë edhe me resurse profesionale, por edhe me një pjesë të pajisjeve.
Ministri Agani tha se hapja e shërbimit është rezultat i përkrahjes profesionale, morale e politike që ka ardhur nga Qeveria e Italisë dhe mbështetjes së këtij projekti brenda në Kosovë.
Ambasadori Giffoni tha se fillimi i kardiokirugjisë është një hap praktik dhe rikujtoi se para pesë vjetësh kur ishte mbajtur Konferenca e donatorëve për Kosovën, qeveria e vendit të tij, kishte vendosur që përkrahjen e saj për Kosovën ta shpreh në fuqizimin e aspekteve ekonomike, sociale dhe politike.
Ai tha se Qeveria italiane ishte koncentruar në disa fusha si bujqësia, kultura dhe kishte vendosur që të mbështes edhe aspektin social dhe atë shëndetësor.  “Tash ne mund të shohim që ky vizion ka dhënë rezultate dhe ky bashkëpunim (në shëndetësi) është në rrugë të mirë”, tha Ambasadori Giffoni, duke theksuar se ekipi i kardiokirurgëve nga Kosova e ka mbështetjen e kardiokirurgëve nga Milano, me qëllimin që qytetarët kosovarë t’i ndjejnë benefitet e investimit direkt që ndikon në kualitetin e shëndetit të tyre.  “Hapja e shërbimit të kardiokirugjisë është një stafisfaksion imadh” theksoi Ambasadori Giffoni.
Profesor Martinelli tha se kryerja e ndërhyrjeve kardiokirurgjike në sektorin publik në Kosovë është një hap i madh, edhe për faktin se ajo është kryer nga kardiokirurgët kosovarë, nën mbikqëyrjen e kardiokirurgëve dhe ekipit italian. Profesor Martinelli i vlerësoi lart edhe kushtet në sallat operative të Kardiokirurgjisë duke thënë se është bërë progres i madh dhe ato i plotësojnë top-standardet evropiane për ndërhyrje. “Ishte kënaqësi që që ekipi që ka kryer ndërhyrjen ka qënë shumë i ndërlidhur mes veti dhe profesional”, tha profesor Martinelli.
Kardiokirugët Bekim Dula e Raif Çavolli thanë se shërbimi i Kardiokirurgjisë do të vazhdojë punën në kontinuitet dhe theksuan se pas intervenimit te pacientja, të enjtën pasdite, ajo është ekstubuar të nesërmen në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe pas 3-4 ditësh do të lirohet të shkojë në shtëpi.
Ata e vlerësuan lart punën ekipore gjatë ndërhyrjes.
Drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Njazi Gashi tha se kjo qendër, po dëshmon se ka kualitetet profesionale për të kryer ndërhyrje të komplikuara dhe kjo duhet të ndikojë te pacientët që të kenë besim në punën e profesionistëve në QKUK.