Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe ekspertja Avsic-Zupanc diskutojnë për Ethet Hemorragjike

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot në vizitë prof. Tatjana Avsic-Zupanc, udhëheqëse e Institutit për Mikrobiologji dhe Imunologji në Universitetin e Lubjanës , që është qendër referente e OBSh-së për diagnostikim dhe hulumtim të Arbo –viruseve dhe viruseve që i shkaktojnë Ethet Hemorragjike.

Gjatë bisedës, Ministri Agani dhe profesoresha Avsic-Zupanc, u dakorduan për një bashkëpunim të ngushtë në realizimin e projekteve, të cilat do të mundësojnë eliminimin e sëmundjes së Etheve Hemorragjike në Kosovë, që viteve të fundit paraqet një dukuri endemike.

Ministri Agani e falënderoi profesoreshën Avsic-Zupanc për kontributin e madh që ka dhënë në ballafaqimin me këtë problematikë të madhe të shëndetit publik që nga viti 1990  kur izoloi virusin e ri të Etheve Hemorragjike dhe e emërtoi “Kosova –Hoti”, që problemin e Etheve Hemorragjike në Kosovë e bëri të njohur në arenën profesionale ndërkombëtare dhe hapi rrugë për bashkëpunim intensiv në drejtim të çrrënjosjes së kësaj sëmundje në Kosovë.