Ministrat e Shëndetësisë Alois Stoger dhe Ferid Agani kanë biseduar për bashkëpunimin në shëndetësi midis dy shteteve dhe projektet e përbashkëta në lëmin e reformës shëndetësore.
Prishtinë, 11. 04. 2014
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së Gani Shabani dhe zyrtarët e lartë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, u pritën sot në Vjenë nga Ministri i Shëndetësisë i Austrisë z. Alois Stoger.
Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin në shëndetësi midis dy shteteve.
Ministri Agani e falënderoi Ministrin dhe shtetin austriak për ndihmën e dhënë në shëndetësinë kosovare dhe e informoi atë për projektet e përbashkëta në lëmin e reformës shëndetësore.
Të dy ministrat u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e funksionalizimit të Sistemit të Informimit Shëndetësor, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe politikat më të mira për sektorin farmaceutik, veçanërisht në fushën e çmimeve të barnave.
Gjatë vizitës, delegacioni i MSh-së vizitoi Spitalin Gjeneral të Vjenës, të shoqëruar nga përfaqësues të kompanisë austriake VAMED, të cilët bëjnë menaxhimin e këtij spitali.
Gjatë vizitës në spital u shqyrtuan praktikat e menaxhimit në funksion të zbatimit të praktikave më të mira të menaxhimit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.