Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe kryetari i Ferizajt Svarqa biseduan për spitalin e këtij qyteti

Prishtinë, 03 prill 2014

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani priti sot kryetarin e Ferizajt z. Muharrem Svarqa, të shoqëruar nga drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, z. Gëzim Bajrami.

Në takim u bisedua për gjendjen  dhe nevojat që ka komuna e Ferizajt në sektorin e shëndetësisë si dhe për projektin që është në proces për ndërtimin e spitalit në këtë komunë.

Ministri Agani shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e Spitalit të Ferizajt, i cili nuk i përmbush nevojat e duhura të qytetarëve në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

“Për të ndërtuar spital në Ferizaj, kam qenë i motivuar shumë më herët, por me një buxhet të vogël çfarë e kemi nuk na ka qenë e mundur ta bëjmë realitet ndërtimin e spitalit të ri”  tha ministri Agani, duke e parë të mirëseardhur donacionin nga Malta për mbështetjen e ndërtimit të spitalit në Ferizaj.

Kryetari z. Svarqa, falënderoi ministrin për gatishmërinë e tij që të ndihmoj shëndetësinë e Komunës së Ferizajt,  e në veçanti për mundësinë e realizimit të një projekti madhor, për ndërtimin e kompleksit spitalor që do të përmbushte nevojat e qytetarëve të  Komunës së Ferizajt për shërbime shëndetësore më cilësore.

Projekti i ndërtimit të kompleksit spitalor në Komunën e Ferizajt, parashihet të mbulohet financiarisht nga një donacion i ofruar prej Maltës, që së fundi e vizituan Kosovën, duke shprehur gatishmërinë e tyre për ndihmë shëndetësisë kosovare, në fushat ku MSh-ja e sheh më të nevojshme.

Në takim u bisedua edhe për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, për çka kryetari z. Svarqa tha se këtyre ditëve janë në aksione me inspektorë për të zbatuar këtë ligj.