Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe Kryetari Veliu bisedojnë për avancimin e shëndetësisë në Podujevë dhe zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit

Prishtinë, 22 janar 2014

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani u prit sot nga Kryetari i Komunës së Podujevës z. Agim Veliu me bashkëpunëtorë për të biseduar rreth bashkëpunimit midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve të kësaj komune për përparimin e shëndetit të qytetarëve të kësaj ane.

 

Në këtë takim u bisedua për projektet e mundshme të bashkëpunimit për të ndihmuar realizimin e disa projekteve me interes për avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunën e Podujevës, të cilat do të elaborohen midis Ministrisë e Komunës dhe për shqyrtimin e mundësive edhe për ngritjen e kuadrit profesional që do të ofrojë shërbime nga disa fusha specifike për të cilat është diskutuar si gjinekologjia dhe obstetrika, mjekësia emergjente, mjekësia familjare, etj.

 

Një theks i veçantë në këtë takim i është kushtuar zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në këtë komunë.

 

Nga autoritetet lokale është kërkuar që të fuqizojnë kapacitetet për të zbatuar këtë ligj, ndërkohë që ato do të ndihmohen nga Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati Sanitar i Kosovës dhe autoritet e tjera qendrore, që në komunë e Podujevës zbatimi i ligjit të fuqizohet , ndërsa shkelësit të ballafaqohen me sanksionet që i ka përcaktuar ky ligj.