Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe Lëvizja “Fol” pajtohen për bashkëpunim në rritjen e transparencës

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ferid Agani, priti sot drejtuesit e Lëvizjes  “FOL”, në kuadër të interesimit të dyanshëm për bashkëpunim, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike të Kosovës.
Ministri Agani i ka dhënë mbështetje projektit të lëvizjes FOL për fuqizimin e transparencës së institucioneve publike përballë qytetarëve, projekt ky i prezantuar nga kreu i kësaj lëvizje, Ramadan Ilazi.
Ministri Agani ka ofruar bashkëpunimin e plotë të MSh-së me shoqërinë civile, duke e vlerësuar këtë si indikator të demokratizimit të vet institucioneve dhe ka siguruar drejtuesit e “FOL” se MSH do të ofrojë maksimumin e bashkëpunimit që ligji e lejon.
Gjatë ditëve në vijim, MSh do të nënshkruajë një Memorandum bashkëpunimi me Lëvizjen “FOL”, në mënyrë që kësaj lëvizje t’i sigurohet qasje në monitorim të proceseve të ndryshme që zhvillohen në këtë ministri.