Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe Zëvendës-ambasadori amerikan Micheal Murphy inspektuan punimet në QKUK, investim i SHBA-së

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani  dhe Zëvendës-ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, z. Michael Murphy, vizituan sot Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikën Infektive, për të parë nga afër rrjedhën e punimeve në këtë klinikë, një pjesë e të cilës, bashkë edhe me Klinikën e Neurokirurgjisë dhe atë të Kirurgjisë Vaskulare po rinovohen në bazë të kontributit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht Departamentit të Mbrojtjes të këtij shteti.

Ata u pritën nga drejtuesit e QKUK-së, dhe të klinikave përkatëse që kanë përfituar nga ky kontribut i SHBA-ve, dhe nga punonjësit e Klinikës Infektive, e cila u vizitua me këtë rast.
Zëvendës-ambasadori Murphy tha se është privilegj për shtetin e tij që të ndihmojë shëndetësinë kosovare me investime si ky që kap vlerën prej mbi 1.2 milionë dollarëve,  falë gatishmërisë dhe partneritetit të Pentagonit dhe Departamentit të Mbrojtjes.

“Investimet këtu tregojnë se partneriteti midis SHBA-ve dhe Kosovës ka shumë faqe”, tha Zëvendës-ambasadori Murphy.

Ai tha se dy shtetet bashkëpunojnë në diplomaci, në zhvillimin ekonomik dhe po ashtu, po bashkëpunohet edhe në fushën e shëndetësisë.
“Ne presim që pas disa muajve punimet të jenë kryer dhe qytetarët kosovarë të marrin përkujdesje të mirë shëndetësore”, tha Murphy.

Ministri Ferid Agani shprehu një falënderim të veçantë për Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, z. Christopher Dell, zëvendësin e tij Murphy dhe SHBA-të për kontributin e çmuar për shëndetësinë kosovare me investime konkrete, të cilat do të ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

“Kjo është një ditë e madhe për shëndetësinë kosovare. Mbështetja e SHBA-ve ka qenë e vazhdueshme për Kosovën në të gjitha fushat, kjo po shprehet edhe në shëndetësi dhe ne do t’i menaxhojmë mirë këto investime, në mënyrë që shërbimet shëndetësore të jenë në një cilësi më të lartë për qytetarët”, tha Ministri Agani.

Ministri Agani e vlerësoi investimin amerikan në QKUK si shprehje të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit midis dy kombeve dhe theksoi se Ministria e Shëndetësisë do të jap maksimumin që investimi të reflektojë në të mirën e pacientëve.