Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani dhe zëvendësshefi i institutit të kardiokirurgjisë “San Donato” nga Italia bisedojnë për bashkëpunimin në shëndetësi

Prishtinë, 13 mars, 2014

Në kuadër të bashkëpunimit që ekziston që nga viti 2004, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani, i shoqëruar nga zëvendësministri Shemsi Veseli, priti sot zëvendësshefin e Institutit Shkencor Universitar “San Donato” prof. dr. Alberto Canzianin, nga Milano e Italisë.

Ministri Agani tha se mbështetja nga ky institut shkencor me eksperiencë të lartë profesionale në fushën e kardiokirurgjisë është në interes të shëndetësisë së Kosovës.

“Reformat shëndetësore që janë në proces, kanë ndikuar edhe në ngritjen e kapaciteteve të reja siç është ngritja e nivelit profesional në kardiokirurgji”, tha Ministri Agani , duke theksuar se ofrimi i përvojave të ekspertëve të “San Donatos” do ta ndihmojë forcimin e këtij shërbimi të ri në Kosovë, duke i zvogëluar dukshëm nevojat për trajtim të rasteve nga kardiokirurgjia jashtë vendit.

Prof. Dr. Canziani, shprehu gatishmërinë e institutit italian për ofrimin e eksperiencës profesionale duke qenë që ekspertët e kardiokirurgjisë të këtij instituti kanë kryer deri tash mbi 50 000 operacione, dhe përvojat nga to, mund t’i shërbejnë shumë edhe kardiokirurgjisë në sektorin publik në Kosovë.