Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani diskuton nevojat e personave me aftësi të kufizuara

Ministri Agani tha se parimet kryesore të cilat do të mbizotërojnë në këto ligje do të jenë qasja e barabartë dhe pa diskriminim për të gjithë kategoritë shoqërore në shërbimet shëndetësore të vendit dhe nevojat që kanë.
“Këto ligje duhet të reflektojnë patjetër nevojat e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara dhe ato objektiva të reflektuara edhe në Planin Nacional për përkujdesje për personat me aftësi të kufizuar” , ka thënë ministri Agani, duke kërkuar nga pjesëmarrësit që të japin pa asnjë rezervë komentet, vërejtjet dhe propozimet e tyre në Ligjin e ri për Shëndetësinë, që ndodhet në fazë drafti.
Gëzim Abazi, kryetar i Shoqatës “Handicap Kosova”, ka falënderuar ministrin Agani për qasjen e afërt dhe korrekte ndaj kësaj kategorie, duke theksuar nevojën e fuqizimit të komunitetit me aftësi të kufizuara.
Përfaqësuesit e të gjitha shoqatave pjesëmarrëse në debat kanë shprehur nevojat e tyre që duhet të reflektojnë në ligje dhe kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për zyrtarizmin e gjuhës së shenjave, ndërkohë që Ministri Agani ka thënë se është shumë e rëndësishme që në adresimin e sfidave të këtij komuniteti, të punohet bashkë.