Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani e vlerëson lart punën në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës

Ministri Agani e vlerësoi lart punën në këtë qendër, e para së gjithash raportet shumë të mira ndër-kolegiale e profesionale midis personelit të qendrës dhe punonjësve aty, ndërsa theksoi se Ministria e Shëndetësisë do të mbështes këtë qendër në zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore stomatologjike dhe projekteve të tjera që e avansojnë atë.

“Si Ministri në mënyrë sistematike e kemi përcjellë punën e qendrës suaj. Është impresionuese të shohësh një kolektiv me marrëdhënie kaq të mira mes vete, me raporte kaq të mira etike e profesionale”, vlerësoi Ministri Agani.

Ai shpjegoi se përkundër mundësive dekurajuese në shëndetësi, sidomos për shkak të rrethanave të pavolitshme buxhetore, Ministria është e angazhuar në tre rrafshe: Në ngritjen e efikasitetit dhe menaxhimit në institucionet shëndetësore; në zhvillimin e reformës shëndetësore që ndërlidhet me dy projektligjet: atë për Shëndetësinë dhe Sigurimet shëndetësore që janë në drejtimin e duhur dhe në partneritetin publiko privat, si një model efikas i bashkëpunimit dhe ngritjes së një konkurrence të shëndoshë midis sektorit publik dhe atij privat shëndetësor në vend.

Ministri Agani tha se tashmë nuk diskutohet se a duhen apo jo Ligji i Shëndetësisë dhe Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, pas vlerësimit pozitiv që i është bërë procesit të hartimit të këtyre ligjeve nga BB dhe FMN, ndërkohë që po negociohet rreth dinamikës së zbatimit të sigurimeve shëndetësore pas miratimit të ligjit dhe kapaciteteve implementuese të sistemit shëndetësor të Kosovës.

Drejtori i QKSUK , Fatmir Dragidella tha se të arriturat në këtë klinikë janë edhe si rezultat i mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai theksoi se gjatë vitit që shkoi në këtë qendër janë trajtuar 17 mijë pacientë, ka pasur 45 mijë vizita stomatologjike dhe janë ofruar 130 mijë shërbime për qytetarët e Kosovës. “Dyzet për qind e këtyre pacientëve kanë qenë jashtë territorit të komunës së Prishtinës”, theksoi dr. Dragidella.