Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani flet para pjesëmarrësve të Programit të kualifikimit për drejtuesit e sistemeve shëndetësore të Ballkanit që po mbahet në Tiranë

Prishtinë, 1 korrik 2014

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, po kryeson një delegacion të zyrtarëve të lartë shëndetësor nga Kosova, të cilët po marrin pjesë në punimet e Kursit të Kualifikimit për drejtuesit e Sistemit shëndetësor të vendeve ballkanike, që po mbahet në Universitetin Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.

Kjo ngjarje organizohet si një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë të Shqipërisë, Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, rajonit të Toskanës (Itali) dhe Universitetit të Firencës,  në kuadrin e veprimtarisë së Observatorit të Sistemeve Shëndetësore të Ballkanit.

Në ceremoninë e hapjes së këtij programi, Ministri Agani u është drejtuar pjesëmarrësve, duke i njoftuar ata me reformat shëndetësore që janë duke u zhvilluar në Kosovë, me hapjen e perspektivave të reja në fushën e shëndetësisë midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë si dhe partnerëve të tjerë në funksion të avancimit të sistemeve shëndetësore në vendet e Ballkanit dhe më gjerë.

Kursi që po mbahet në Tiranë po zhvillohet si vijimësi e raporteve tashmë të konsoliduara të bashkëpunimit në fushën shëndetësore të rajonit të Toskanës  dhe strukturave të sistemit shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit.

Edicioni I V-të ka për qëllim të krijojë një kulturë menaxheriale të përbashkët dhe me përhapje të gjerë për shërbimet shëndetësore të këtyre vendeve, të domosdoshme për periudhën e tranzicionit.