Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani hapi Simpoziumin e tretë ndërkombëtarë të astmës

Prishtinë 17 maj 2014

 

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani sot në Prizren, hapi simpoziumin e tretë ndërkombëtar të astmës- World Astma Day (WAD) Prizreni 2014, të organizuar nga Asociacioni Kosovar për Imunologji-Astmë dhe Alergji, GINA dega në Prishtinë e udhëhequr nga dr. Luljeta Neziri Ahmetaj në bashkëpunim me  Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Ministri Agani tha se “regjistrimi i Kosovës në Kuvendin e Ginës është një arritje e madhe, ndërsa organizimi i një simpoziumi të përmasave ndërkombëtare në vendin tonë, është një dëshmi se Kosova ka kapacitete profesionale të ekspertëve shëndetësor, për të dhënë kontribut në këtë drejtim, konkretisht me punimet shkencore që do të paraqiten sot në simpoziumin World Astma Day-Prizreni 2014”.

 

“Ky simpozium do të shërbejë që përvojat e ekspertëve kombëtar e ndërkombëtar të shkëmbehen, rezultat i së cilës është avancimi i trajtimit të astmës, sëmundje kjo që më së shumti i atakon moshën e re” tha Agani.

 

Përmes një letre, simpoziumin e përshëndeti edhe drejtoresha e Iniciativës Globale për Astmë, Suzanne Hurd, ku ndër të tjera shkruante se “ne shpresojmë që ju të fitoni njohuri në simpozium ndërkombëtar të astmës – Prizreni 2014, dhe këto njohuri të fituara nga ky simpozium t’ju ndihmojnë për të edukuar pacientët që astma mund të kontrollohet me zbatimin e strategjive të duhura të menaxhimit”.

 

Me punimet e tyre shkencore që do të paraqesin në simpoziumin e tretë ndërkombëtar të astmës- World Astma Day (WAD) Prizreni 2014, po marrin pjesë ekspertë të Kosovës por edhe ndërkombëtar. Në fund të simpoziumit do të zgjidhet edhe punimi më i mirë shkencor.