Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani i njoftoi donatorët me programin qeveritar për shëndetësi dhe agjendën reformuese për sistemin shëndetësor

Në takimin koordinues të MSH-së me donatorët, ministri Agani, ka prezantuar tri shtyllat kryesore të reformës shëndetësore, të bazuara edhe në versionin e përditësuar të Planit të Veprimit të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore (SSSH) të Ministrisë së Shëndetësisë për periudhën 2011 – 2014.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ferid Agani, ritheksoi se reformat nisin që sot  fillimin e punës së dy grupeve punuese: Grupit punues për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore dhe në Ligjin e ri të Shëndetësisë, dy këto ligje të domosdoshme për reformën në shëndetësi, bashkë me Ligjin për Produkte dhe pajisje Mjekësore, i cili, gjithashtu do t’i nënshtrohet procesit të revidimit.

Ministri tha se shtylla e parë e programit të tij reformues është përgatitja e  MSH-së për zhvillimin e reformave, që nënkupton fuqizimin e kapaciteteve të MSH-së që Ministria të jetë shumë më mobile dhe më dinamike; shtylla e dytë- reformimi i sistemit publik shëndetësor që aktualisht është në pozitë të pabarabartë me sistemin privat përmes transformimit të sistemit të institucioneve shëndetësore në ndërmarrje publike në formën e tre koorporateve: një për sistemin primar, e dyta për atë sekondar dhe e treta për sistemin terciar dhe,  shtylla e tretë themelimi i sistemit të sigurimeve shëndetësore që do të mbështetet në parimet moderne organizative e funksionale, duke nisur së pari me fuqizimin e kapaciteteve brenda vet MSH-së, si AKSHP-në, për të kaluar pastaj në mbledhjen e kontributeve nga Fondi i Sigurimeve dhe kontraktimi i shërbimeve shëndetësore.

“Ky është një plan ambicioz, dikujt mund t’i duket edhe i pamundur të realizohet, por në një organizim të mirë dhe në partneritet edhe me donatorët, ne mund ta bëjmë këtë, t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme”, theksoi Ministri Agani.
 
Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, dr. Ilir Tolaj, tha se Kosova mbetet ende vend me treguesit më të dobët të shëndetit në rajon, me financim të dobët dhe mungesë të burimeve dhe me probleme e sfida të shumta.
“Megjithatë, më duhet të theksoj se gjatë kësaj periudhe Ministria e Shëndetësisë ishte mobilizuar në maksimum dhe tash mund t’i paraqesim rezultatet e para në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore”, tha Tolaj.

Partnerët e MSh-së janë shprehur shumë optimist lidhur me planet e MSH-së për të çuar para reformën, dhe kanë premtuar mbështetjen e tyre, përfshirë këtu Qeverinë e Luksemburgut që përmes z. Pierre Ëeber ka shprehur zotimin që të bashkëpunojë në shëndetësi, duke kaluar nga planet në zbatim të tyre, pastaj agjencitë e OKB-së përmes Doina Bologa, OBSH përmes Skënder Sylës, Zyra Ndërlidhëse e BE-së përmes Samir Selimit, e gjithashtu, mbështetje me ekspertizë ka ofruar edhe Fondi Monetar ofroi përkrahje teknike dhe ekspertizë profesionale në lëmin e politikave fiskale dhe ndërlidhjen e tyre me financimin e shëndetësisë. 

Në këtë takim morën pjesë partnerët kyç të MSH-së dhe donatorët kryesorë për shëndetësi : Qeveria e Luksemburgut-Lux Development, Zyra Ndërlidhëse e BE-së – ECLO, JICA Japoneze, Ambasada Turke, TIKA, Ambasada e SHBA-ve, USAID, Ambasada Gjermane, GTZ, Ambasada e Italisë, Cooperazione Italiana, Ambasada e Austrisë, Ambasada e Norvegjisë, Ambasada e Çekisë, Qeveria e Kuvajt-it, FMN, OBSH, UNICEF, UNFPA, UNKT, UNDP, UNOPS, etj.