Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani: Ligji për Shëndetësi dhe Ligjin për Kontrollin e Duhanit shënojnë fillimin e reformës shëndetësore

alt

Ministri Agani tha se Ligji për Shëndetësi e fillon reformën në sistemin e shëndetësisë.

“ Më këtë ligj shëndetësia kosovare do të hyjë në një fazë të re, ku do të ketë llogaridhënie më të madhe, në një fazë ku qytetari do të jetë në qendër të vëmendjes të shërbimeve shëndetësore. Po hyjmë në një periudhë në të cilën institucionet shëndetësore do të menaxhojnë me të ardhmen e tyre, një ligj që e bën decentralizimin  e sistemit shëndetësor nga politika në masë, por e bën centralizimin e shërbimeve shëndetësore në nivelin profesional, duke e vënë qytetarin në qendër të vëmendjes”, theksoi Ministri Agani.  MSh-ja, tha ai, është e përkushtuar që këtë ligj ta zbatojë në përpikëri, për çfarë janë ndërmarrë shumë masa përgatitore.

“Hapat e parë që MSH-ja do t’i ndërmerr janë të fokusuar në tri rrafshe: së pari do të bëhet rrumbullakësimi i kornizës së akteve nënligjore:  jemi në përfundim të udhëzimit administrative të listës së shërbimeve themelore shëndetësore, së bashku me listën e çmimeve; draft – Statutit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, që e paraqet boshtin kurrizor  të sistemit shëndetësor të vendit ;  si edhe Udhëzimin Administrativ të performancës…”,  shpjegoi më tej Ministri Agani.

Ai tha se MSh , do të jetë shumë e drejtpërdrejt përmes Inspektoratit Shëndetësor në zbatimin e nenit 41 të ligjit- paragrafet 1 dhe 2 që janë pjesë përbërëse e Ligjit të Shëndetësisë,  duke e sanksionuar në mënyrë shumë të qartë çfarëdo referim të paligjshëm të pacientëve nga sektori publik në sektorin privat.

Ministri Agani e ka vlerësuar sit ë rëndësisë së veçantë edhe Ligjin për Kontrollin e Duhanit, për hartimin e të cilit ai ka falënderuar Zyrën e OBSH-së dhe të UNICEF-it në Kosovë, anëtarët e shoqërisë civile nga radhët e Koalicionit Anti-duhan, në veçanti organizatën KADC dhe të gjithë partnerët e tjerë që kanë kontribuar në sjelljen e këtij ligji që do të mbrojë shëndetin e qytetarëve të vendit nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore nga duhani.

Ministri tha se qytetarët e vendit duhet ta pranojnë mirë këtë ligj dhe të kenë një rol aktiv në zbatimin e tij, derisa theksoi se kanë filluar përgatitjet edhe për themelimin e Këshillit Ndërministror për monitorimin e zbatimit të tij.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë ka përshëndetur hyrjen në fuqi të dy ligjeve, duke theksuar se ligji  i parë do të krijojë mundësi për zhvillim të reformës shëndetësore, derisa Ligji për Kontrollin e Duhanit, do të mbrojë jetët e mijëra qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të rrezikuar nga duhan-pirja aktive dhe pasive.

Ai tha se me miratimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe përkushtimin politik për ta zbatuar atë, Kosova e ka mundësinë që t’u bashkohet vendeve të BE-së me praktikat më të mira në fushën e mbrojtjes së shëndetit publik.

Shkumbin Spahija, drejtor ekzekutiv i KADC-së, ka theksuar se si shoqëri civile, kjo organizatë ka qenë partner i MSh-së dhe institucioneve të tjera në sjelljen e këtij ligjitpër Kontrollin e Duhanit, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejt si në fazën e hartimit, ashtu edhe në atë të implementimit. “Do të luajmë edhe më tej një rol aktiv në zbatimin e këtij ligji, duke konsideruar se kështu i ndihmohet shëndetit të qytetarëve të vendit”, tha Spahija.

Ai ka prezantuar disa materiale promovuese kundër duhanit, broshura me të dhëna informative për Ligjin për Kontrollin e Duhanit, në të cilat spikatej motoja “Merr frymë shlirë, prej 22 majit”.