Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani me bashkëpunëtorë vizituan Qendrën Integruese Rehabilituese në Shtime

Prishtinë, 21 maj 2014

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani me bashkëpunëtorë, vizitoi sot Qendrën Integruese Rehabilituese të Sëmurëve Kronik Psikiatrik  (QIRSKP) në Shtime

Ministri Agani u shpreh i kënaqur me ndryshimet e thella të bëra si në aspektin e kujdesit dhe shërbimeve shëndetësore, po ashtu edhe të riparimeve të bëra në objektin e QIRSKP-së.

“Këto përmirësime janë të dukshme dhe të mirëpritura për ne si Ministri, ngase po e dimë se do të rezultojnë me përmirësimin e kushteve të stafit të shërbimit, por edhe të banorëve të qendrës”, tha ministri Agani.

Interesimi ynë, tha ai,  do të jetë që me rritjen e kujdesit dhe shërbimeve të ofruara për 68 banorët e qendrës, të përmirësohet gjendja e tyre dhe të kthehen në shtëpitë e tyre.

Drejtori  i QIRSKP-së,  dr. Bahri Goga, njoftoi për trajtimet që kryhen në qendrën të cilën ai e drejton. Ai ndër të tjera tha se “shërbimet që ofrohen në kujdesin e banorëve në QIRSKP, janë në nivel të kënaqshëm, falë trajnimeve që u janë bërë edhe stafit të shërbimit të kësaj qendre”.

QIRSKP aktualisht ka 68 banorë të dy gjinive dhe të etnive të ndryshme.  Kushtet në këtë qendër janë përmirësuar dukshëm falë një investimi të bërë në vlerë 70 mijë euro, e  po ashtu, edhe pajisjes kohë më parë të qendrës nga MSh-ja me një autoambulancë.