Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani nënshkroi vendimin për lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit me spitalet private në Kosovë

“Me nënshkrimin e këtij vendimi, Ministria e Shëndetësisë është e hapur për ofruesit e shërbimeve shëndetësore nga institucionet private shëndetësore të licencuara të vendit, që të vijnë të MSh dhe të lidhin Marrëveshjen për trajtimin e pacientëve kosovarë, bazuar në Udhëzimin Administrativ 03/2010 dhe sipas procedurave të aplikimit dhe shqyrtimit të aplikacioneve nga Komisioni Mjekësor  dhe Bordi i Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, tha Ministri Agani.

Ai ka shpjeguar se Programi i TJIPSH është program i subvencionuar që edhe sivjet ka pasur në dispozicion 2 milionë euro, ndërsa numri më i madh i rasteve që deri tash janë trajtuar jashtë vendit, kanë pasur të bëjnë me patologji nga Onkologjia-Radioterapia, Kardiologjia Invazive dhe Kardiokirurgjia, Kirurgjia Spinale, Ortopedia, etj.

“ E mira e marrëveshjes së bashkëpunimit është se qytetarët  vendit një numër të madh të shërbimeve tash do të mund t’i marrin brenda vendit dhe kjo do të jetë më lehtë”, tha ai.

Duke shpjeguar pjesë nga Marrëveshja që do ta pasojë vendimin, Ministri Agani tha se institucionet private obligohen t’i përmbushin standardet e cilësisë në pajtim me ligjin, kurse MSH, në bazë të UA 03/2010, do të bëjë identifikimin dhe kompensimin financiar të pacientëve të cilët kanë nevojë për shërbime shëndetësore të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore.

“Pacientët do ta zgjedh institucionin privat në të cilin dëshiron të mjekohen nga lista e institucioneve private me të cilat MSH ka nënshkruar marrëveshje”, sqaroi Ministri Agani. 

Ai , në një konferencë për media, organizuar sot, për të prezantuar këtë hap të Ministrisë, u është përgjigjur mediave edhe për çështje të tjera me interes, ndërsa ka theksuar se ritmi i punës në njëqind ditshin e parë të mandatit të tij, është premtues për reformat e nisura dhe sa i përket agjendës legjislative, ka theksuar Ministri,  “jemi duke e mbajtur premtimin”.