Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani: Përpjekje qesharake për të penguar proceset pozitive në shëndetësi

Reagim i Ministrit të Shëndetësisë ndaj artikullit “500 mijë euro për kushëririn”, botuar nga gazeta Express, datë 3 nëntor 2011, fq. 6-7

Duke hedhur poshtë pretendimet e shprehura në këtë artikull Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, konsideron se bëhet fjalë edhe për një përpjekje qesharake për të penguar proceset pozitive në sektorin e shëndetësisë, në këtë rast  eliminimin e barrës së rëndë të shëndetësisë kosovare që nga ditët e pasluftës, për shkatërrimin e rreth 300 tonë të produkteve farmaceutike dhe materialit shpenzues me afat të skaduar.

Ndërlidhja e Ministrit Agani me kushëri të familjes së gjerë në kontekst negativ në situatën kur në bazë të çdo dokumentacioni faktik, ligjshmëria e procesit tenderues nuk është cenuar në asnjë moment, nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si veprim tendencioz dhe qëllim keq, i autorit të shkrimit dhe gazetës Express.

Ministri Agani është i hapur ndaj çfarë do procedure ligjore në rast të ekzistimit të paqartësive eventuale, në funksion të verifikimit të ligjshmërisë së plotë të procesit tenderues që kryekëput është zhvilluar në pajtim me ligjin dhe është udhëhequr  nga Departamenti i Prokurimit i MSH-së, për çka nuk ka pasur asnjë vërejtje.