Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani po realizon një vizitë zyrtare në Zvicër

 

Gjatë takimeve Ministri Agani i njoftoi nikoqirët përkitazi me gjendjen në shëndetësinë kosovare, nevojat prioritare, përgatitjet e bëra për fillimin e reformës gjithëpërfshirëse të sistemit shëndetësor në vend, si dhe nevojën për mbështetjen e këtyre përpjekjeve nga ana e Qeverisë Zvicerane.

Ministri Agani u përgëzua nga bashkëbiseduesit për vizionin e qartë reformues dhe qasjen e vendosur ndaj ndryshimeve të domosdoshme si dhe u sigurua nga autoritetet shëndetësore Zvicerane për mbështetjen e fuqishme të këtyre përpjekjeve reformuese pas miratimit të Ligjit të Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës që pritet të ndodhë deri në fund të muajit shtator.

Gjatë bisedimeve u theksua gatishmëria e plotë e SDC dhe Zyrës Federale të Shëndetësisë për investime substanciale në sistemin e reformuar shëndetësor të vendit veçanërisht në funksion të themelimit të Fondit publik të sigurimeve shëndetësore si dhe përmirësimin e infrastrukturës institucionale dhe profesionale të shëndetësisë kosovare.

Gjatë ditës së sotme, Ministri Agani zhvillon takim me z. Tuygan Goeker, drejtor i CEMAI në Bazel (i ngarkuar për Evropën Qendrore dhe Perëndimore, Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Afrikën Sub-kontinentale) për të vazhduar pastaj me një takim me Kryesinë e Kuvendit Shqiptar në Zvicër në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë.

Të shtunën ndërkaq, Ministri Agani do ta përmbyllë vizitën e tij me një tribunë me bashkë-atdhetarët në Llozanë.