Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani premton ngritjen e Këshillit kombëtar për shërbimet emergjente shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ferid Agani, pasi ka falënderuar zyrën e OBSH-së në Prishtinë për përkrahjen e saj në zhvillimin e shërbimeve emergjente në Kosovë dhe ekspertët e kësaj organizate për vlerësimet lidhur me gjendjen në këto shërbime në institucionet shëndetësore të vendit tonë, tha se përkrahja e MSh-së për zhvillimin e mëtejme të këtyre shërbimeve nuk do të mungojë , ndërsa do të bëhen të gjitha ato ndërhyrje te domosdoshme edhe në legjislacionin aktual, ashtu që të sigurohet një shtrirje e mirë horizontale në ofrimin e shërbimeve adekuate shëndetësore emergjente.
Ministri Agani tha se MSH bashkë me Komitetin Drejtues të Shërbimeve Emergjente, Shoqatën Profesionale të Mjekëve Emergjent, Zyrën e OBSh-së dhe me konsulenca të ekspertëve të saj, do të formoj Këshillin Kombëtar për shërbimet emergjente, që si institucion do të paraqes gjeneratorin e ideve dhe ndërgjegjen e MSH-së në zbatimin e legjislacionit dhe strategjisë që lidhet me shërbimet emergjente shëndetësore.
Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se avancimi i shërbimeve emergjente mjekësore duhet të jetë pjesë e reformës në shëndetësi që ka filluar dhe politikat në këtë aspekt duhet të jenë afatgjata.
OBSH, ka theksuar , Syla, do të vazhdojë të ofrojë asistencën e saj teknike në fuqizimin e këtyre shërbimeve në Kosovë.
Ekspertët e OBSH-së, dr. Sergey Koryal dhe dr. Marcel Dubouloz kanë prezantuar projektin e OBSH-së në Kosovë si dhe disa modele të zhvillimit të SHEM në Kosovë, ku ndër të tjera është theksuar se në këto shërbime në Kosovë ekziston një kuadër cilësor, por jo i mjaftueshëm në numër.
Zyra e OBSh-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe me përkrahjen e Qeverisë së Luksemburgut ka filluar projektin 3 vjeçar  “ Përmirësimi dhe fuqizimi i shërbimeve para spitalore dhe atyre emergjente mjekësore” në shtator të vitit 2008,  me qëllim të  përmirësimit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore në nivel të kujdesit primar.
Gjatë kësaj periudhe, OBSH-ja zhvilloi një numër të madh të aktiviteteve si planifikimi për blerjen e autoambulancave dhe pajisjeve mjekësore, trajnimi i trajnerëve nacional dhe profesionistëve shëndetësorë si dhe përmirësimi i politikave klinike dhe organizative mjekësore.