Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani premton specializime të tjera për Luginën e Preshevës

Prishtinë, 14. 07. 2014

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani priti sot Kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës dr. Ramiz Latifin, të shoqëruar nga mjekët e Luginës së Preshevës të cilët kanë përfituar nga ndarja e specializimeve nga MSh e Republikës së Kosovës.

Në takim u tha se përkundër vështirësive reale financiare me të cilat është përballur Ministria e Shëndetësisë është arritur që të bëhet ndarja e specializimeve për profesionistët mjekësor të Luginës së Preshevës.

Ministri Agani u zotua për vazhdimin e kësaj politike në funksion të ngritjes së resurseve të vazhdueshme profesionale shëndetësore  me qëllim të zhvillimit të shërbimeve cilësore shëndetësore për qytetarët e  Luginës së Preshevës.

Kryekuvendari komunal i Preshevës dr. Latifi, i shprehu Ministrit të Shëndetësisë Ferid Aganit falënderimin e strukturave dhe banorëve të Luginës së Preshevës për ndihmën që Ministria e Shëndetësisë u ka dhënë për shkollim specialistik mjekëve dhe stomatologëve të kësaj ane.

Programi i Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për ndarjen specializimeve për mjekët e Luginës së Preshevës ka filluar në vitin 2012. Në kuadër të këtij programi gjatë tri viteve të fundit Ministria e Shëndetësisë ka financuar shkollimin specialistik të mbi 50 mjekëve dhe të stomatologëve të Luginës së Preshevës.