Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani priti ekipin e mjekëve amerikanë që implantuan pejsmekerët te dy fëmijët kosovarë

Ministri Agani ka falënderuar ekipin mjekësor amerikan për kontributin e tyre të dhënë në trajtimin e shumë pacientëve kosovarë, në veçanti të fëmijëve me probleme shëndetësore në zemër dhe ka shprehur mbështetjen që projektet e përbashkëta të vazhdojnë edhe në të ardhmen në fushat senzitive siç janë kardiologjia dhe kardiokirurgjia.

Shuma financiare e pejsmejkerëve të implantuar ditë më parë te dy fëmijët kosovarë ka qenë rreth 16 mijë dollarë dhe ka qenë donacion i organizatës amerikane “Për  Zemra dhe Shpirtra”, ndërkohë që rëndësia e bashkëpunimit u vlerësua të jetë e një vlere jashtëzakonisht të madhe për profesionistët shëndetësor nga Kosova, të cilat kanë mundur të përfitojnë eksperienca të reja duke qenë pjesë në asistime në ndërhyrjet e kryera.
Ekipi i mjekëve nga Amerika, ka ndihmuar gjatë njëmbëdhjetë vjetëve të fundit në operimin e 168 fëmijëve nga Kosova, të cilët kanë pasur probleme me zemër, ndërkohë që në takimin me Ministrin Agani, u shpreh zotimi i dyanshëm për vazhdimin e bashkëpunimit.

Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për shëndetin e fëmijëve kosovarë, Ministri Agani u ka ndarë certifikata falënderimi mjekëve amerikanë: Dr. Kirk Milhoan, Dr. David Bush dhe Dr. Kimberly Milhoan.