Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani priti një delegacion nga Egjipti

Pasi e ka njohur në hollësi delegacionin nga Egjipti për gjendjen në shëndetësinë kosovare dhe për procesin e reformave që ka filluar, Ministri Agani ka theksuar se midis dy vendeve mund të zhvillohet një bashkëpunim i mirëfilltë në këtë fushë, duke këmbyer eksperiencat pozitive të dy vendeve.
Ministri ka elaboruar fushat në të cilat Kosova ka më shumë nevojë për ndihmën e shteteve mike, ndërkohë që në planin politik, është shprehur i bindur se ndryshimet e bërë në Egjipt, do të reflektojnë edhe në drejtim të njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Egjiptit.
Kryesuesi i delegacionit nga Egjipti, Safet Hixhazi ka thënë se delegacioni është jashtëzakonisht i lumtur për pritjen e mirë që i është bërë në Kosovë ku ka parë shumë zhvillime pozitive, për të cilat tha se do të kërkojnë nga Qeverinë e vendit për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës.
Delegacioni është interesuar për fusha të veçanta të bashkëpunimit në shëndetësi, ndërsa bashkëpunimi i MSh-së me Unionin e Mjekëve Arab, që kryesohet nga përfaqësuesi i Egjiptit, u pa si mundësi për hapat konkretë të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.
Në këtë takim, delegacioni nga Egjipti është interesuar edhe rreth rolit të Partisë së Drejtësisë në skenën politike kosovare dhe çështje të tjera me interes politik.