Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani priti sot udhëheqësit e Institutit Shkencor Universitar “San Donato” nga Italia

Prishtinë, 18.04.2014

 

Në kuadër të bashkëpunimit që ekziston që nga viti 2004, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani, priti sot Shefin e Kardiokirurgjisë të Institutit Shkencor Universitar “San Donato” nga Milano e Italisë, prof. dr. Alessandro Frigiola, dhe Drejtorin Ekzekutiv të këtij instituti z. Andrea Mecenero.

 

Ministri Agani tha se mbështetja nga ky institut shkencor me eksperiencë të lartë profesionale në fushën e kardiokirurgjisë është në interes të shëndetësisë së Kosovës.

 

“Reformat shëndetësore që janë në proces, kanë ndikuar edhe në ngritjen e kapaciteteve të reja siç është ngritja e nivelit profesional në kardiokirurgji”, tha Ministri Agani , duke theksuar se ofrimi i përvojave të ekspertëve të “San Donatos” do ta ndihmojë forcimin e këtij shërbimi të ri në Kosovë, duke i zvogëluar dukshëm nevojat për trajtim të rasteve nga kardiokirurgjia jashtë vendit.

 

Ministri Agani, vlerësoi ndihmën e deritanishme të Institutit Italian, njëkohësisht  kërkoi një bashkëpunim edhe në të ardhmen në sektorin e shëndetësisë e në veçanti në fushën e Kardiokirurgjisë.

 

Dy udhëheqësit e Institutit prof. dr. Frigiola dhe z. Mecenero, shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në mënyrë që të japin përvojat e tyre në kuadër të ngritjes së kapaciteteve profesionale shëndetësore në Kosovë, duke pasur parasysh eksperiencën e intervenimeve të shumta  nga profesionistët shëndetësor të Institutit “San Donato” nga Milano e Italisë.