Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani: Qasje e re ndaj problemeve onkologjike

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në hapje të këtij simpoziumi tha se, duke marrë në konsideratë faktin se onkologjia në Kosovë deri tash është trajtuar me një qasje fragmentare, që në ditët e para të mandatit të tij si Ministër e kë vënë këtë fushë në prioritet, ndërsa tani interesimi vendor dhe ndërkombëtar për këtë fushë është rritur dhe mund të shihen edhe angazhimet dhe rezultatet e para.

“Kemi realizuar disa takime me Shoqatën Onkologjike, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, Ministria ka emëruar edhe Koordinatorin shtetëror për çështjen e kontrollit të kancerit, është formuar edhe grupi punues në hartimin e Strategjisë kundër kancerit, i cili do të provojë t’i integrojë të gjitha resurset që i kemi në dispozicion , në atë mënyrë që kësaj problematike t’i japim një përgjigje imediate”, tha Ministri, duke e theksuar edhe interesimin e madh edhe nga jashtë që është për të hyrë në partneritet me institucionet publike shëndetësore të Kosovës, në mënyrë që Instituti Onkologjik i Kosovës të jetë plotësisht funksional dhe kosovarët të mos shkojnë jashtë vendit për mjekim nga kjo fushë.

Ekziston një dinamizim në fushën e onkologjisë, theksoi Ministri, duke kërkuar nga profesionistët e kësaj fushe që t’i rekomandojnë vendimmarrjes (politikës) në shëndetësi hapat dhe veprimet e nevojshme.  Ai kërkoi që profesionistët shëndetësor kosovarë t’i integrojnë njohuritë e tyre profesionale në funksion të bashkëpunimit dhe zbatimit të Strategjisë që do të hartohet në funksion të ruajtjes së shëndetit të popullatës dhe avancimit të tij.

Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, nënkryetare e Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, duke vënë në spikamë faktin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja të kancerit, tha se qëllimi i simpoziumit është avancimi i njohurive dhe shkathtësive dhe këmbimi i tyre midis ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë në fushën e onkologjisë.

Simpoziumin e kanë përshëndetur edhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Gani Bajraktari dhe U.D. i drejtorit ekzekutiv të QKUK-së Lulzim Emini, i cili ka theksuar se në pesë muajt e fundit në Institutin Onkologjik janë kryer mbi 5 mijë kontrollime të pacientëve me probleme onkologjike dhe janë aplikuar rreth 3 mijë tretmane me kimioterapi.

Simpoziumi që po mbahet në Qendrën e Telemjekësisë në Prishtinë, i zhvillon punimet edhe nesër dhe pasnesër.