Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani: Reforma e shpëton shëndetësinë

“Reformimi përmbajtësor i sistemit shëndetësor të vendit pas miratimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit të Shëndetësisë dhe Ligjit të ri të Sigurimeve Shëndetësore krahas legjislacionit tjetër përcjellës të paraparë me agjendën legjislative të Qeverisë për vitin 2012. Në këtë drejtim si prioritet definohet organogrami i ri i MSh-së dhe themelimi i tri institucioneve të reja në shëndetësinë kosovare si Odën e Profesionistëve Shëndetësorë të Kosovës, Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë, është prioriteti themelor i MSh-së” tha Ministri Agani..

Prioritet i rradhës, Ministri Agani theksoi se është përparimi i mëtutjeshëm i shëndetësisë publike me qëllim të promovimit të mënyrave të shëndosha të jetesës dhe parandalimit të përkeqësimit të shëndetit të qytetarëve nga faktorët mjedisor nëpërmjet rritjes së mjeteve buxhetore për këtë qëllim dhe koordinimit më të mirë me ministritë tjera.

Sipas Ministrit Agani prioriteti i mëtutjeshëm është sigurimi i qeverisjes së mirë nëpërmjet shfrytëzimit sa më efikas, efektiv dhe të përgjegjshëm të fondeve publike duke ngritur kapacitetet menaxheriale të institucioneve shëndetësore si dhe duke vazhduar angazhimin për çrrënjosjen e korrupsionit duke fuqizuar mekanizmat vlerësues dhe monitorues të ministrisë.

Prioriteti i katërt i MSh-së për vitin 2012 është sigurimi i shërbimeve të nivelit tretësor të kujdesit shëndetësor të cilat për momentin nuk mund të ofrohen në vend nëpërmjet bashkëpunimit të shtuar ndërkombëtar dhe formave të ndryshme të partneritetit publiko-privat, tha Ministri Agani.

Minsitri Agani tha se prioriteti i pestë i MSh-së do të jetë sigurimi i qasjes së lehtë dhe të barabartë deri tek shërbimet kualitative shëndetësore për të gjithë qytetarët dhe në veçanti për personat me aftësi të kufizuara, personat me probleme të shëndetit mendor, personat e riatdhesuar dhe pjesëtarët e komunitetit Rom,Ashkali dhe Egjiptas.

“Këto prioritete MSh-së do ti realizoj nëpërmjet aktiviteteve të cilat do të kenë për qëllim realizimin e objektivave strategjike për vitin 2012, që janë zvoglimi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së përgjithshme të popullatës, riorganizimi funksional dhe kompletimi i infrastrukturës ekzistuese shëndetësore në vend, përmirësimi i menaxhimit të resurseve ekzistuese dhe cilësisë së shërbimeve, zhvillimi dhe implementimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor  dhe ajo që është shumë me rëndësi zhvillimi i sistemit të qëndrueshëm financiar të sektorit shëndetësor” , tha Ministri Agani.