Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani: Reformat instrument i nevojshëm për shëndetësinë

Në këtë tryezë, Ministri Agani, tha se programi i tij reformues mbështetet në tri shtylla që janë pjesë edhe e Programit të Qeverisë së Kosovës: për shëndetësinë: E para-përgatitja e vet Ministrisë së Shëndetësisë për procesin e reformave që nënkupton riorganizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të MSH-së që kjo Ministri të jetë shumë më dinamike; E dyta-reformimi i sistemit publik shëndetësor që aktualisht është në pozitë të pabarabartë me sistemin privat përmes transformimit të sistemit të institucioneve shëndetësore në ndërmarrje publike; dhe,  e treta-themelimi i sistemit të sigurimeve shëndetësore që do të mbështetet në parimet moderne organizative e funksionale, duke nisur së pari me fuqizimin e kapaciteteve brenda vet MSH-së, si AKSHP-në, për të kaluar pastaj në mbledhjen e kontributeve nga Fondi i Sigurimeve dhe kontraktimi i shërbimeve shëndetësore.

Pasi i ka elaboruar në detaje këto tri shtylla të reformës, Ministri Agani, tha se ato janë ambicioze, por duhet energji dhe ato është e mundur të bëhen.

Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, dr. Ilir Tolaj, tha se MSH është e vetëdijshme dhe e gatshme për t’u sfiduar me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe në funksion të kësaj, plani afatmesëm i MSH-së ka përcaktuar objektivat, aktivitetet dhe mjetet që janë në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore. “Të vësh në agjendë veprimet për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore do të thotë të ballafaqohesh me një nga sfidat më të mëdha të reformimit të sistemit shëndetësor dhe ballafaqimin me shumë pyetje e dilema: Çka do të thotë cilësi, si definohet ajo në kontekstin tonë, në cilin nivel i kemi shërbimet dhe çfarë niveli duam të arrijmë”, tha Tolaj.

Profesori nga Tirana Isuf Kalo, ka bërë një elaborim të veçantë cilësisë së shërbimeve, duke sjellë fakte e argumente rreth cilësisë së shërbimeve në Shqipëri, përfshirë këtu anët pozitive dhe të metat e sistemit.

Ai ka veçuar se Shqipëria ka themeluar një Strategji të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve që udhëhiqet nga Qendra Kombëtare e Cilësisë , Sigurisë dhe Akreditimin e Institucioneve shëndetësore, por që sipas tij, në këtë tema ka ende shumë e shumë sfida, që duhen adresuar e punuar në zgjidhjen e tyre çdo ditë.
Sipas profesor Kalos, në Kosovë ka prerogativa të mira që të ecet tutje në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Në këtë tryezë të rrumbullakët janë prezantuar edhe disa raporte rreth cilësisë së shërbimeve dhe politikave shëndetësore të MSH-së, sikur që kanë zhvilluar edhe diskutime rreth implementimit të politikave që çojnë kah ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore që është një sfidë e madhe për secilin sistem shëndetësor.