Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani: Shëndetësinë e Mitrovicës është prioritet i parë në agjendën time

Ministri Agani, pasi ka falënderuar në mënyrë të veçantë Qeverinë e Norvegjisë për kontributin e saj në shëndetësinë e Mitrovicës, duke investuar në spitalin e ri të kësaj komune në pjesën jugore, tha se kontributi i Norvegjisë ka shënuar një hap drejt rimëkëmbjes së shëndetësisë në komunën e Mitrovicës.

“Investimet që janë bërë nga Qeveria e Norvegjisë në shëndetësinë e Mitrovicës, , tregojnë për ndjeshmërinë që ka treguar ky shtet për të kontribuar në këtë komunë “, tha Ministri.

Ai ritheksoi se shëndetësia në Mitrovicë dhe në veçanti Kujdesi Dytësor Shëndetësor në këtë komunë, do të jetë prioritet në agjendën e tij për shkak se komuna e Mitrovicës dhe qytetarët e saj, padrejtësisht i kanë vuajtur edhe në shëndetësi pasojat e zhvillimeve politike qe 12 vjet.

“Kjo situatë do të ndryshojë”, ka premtuar Ministri, duke kërkuar nga Qeveria norvegjeze që të jetë bashkëudhëtarë edhe në projekte të tjera të përbashkëta, me qëllim të finalizimit edhe të disa punëve në shëndetësinë e Mitrovicës si dhe në ngritjen e marrëdhënieve edhe në rrafshin profesional midis spitaleve të Norvegjisë dhe Spitalit të Mitrovicës përmes procesit të binjakëzimit.

Zëvendësambasadori norvegjez Hansen ka premtuar se mbështetje e Qeverisë norvegjeze do të vazhdojë në bashkëpunim me MSH-në dhe Komunën e Mitrovicës, duke adresuar së bashku hapat e ardhshëm, me qëllim që qytetarëve të Komunës së Mitrovicës, krahas objektit të ri që u është ofruar me kontributet  këtij shteti dhe të MSH-së, t’i bëhet zgjidhje edhe në aspektin e funksionalizimit dhe mbushjes me profesionistë.

Ministri Agani është shprehur shumë i kënaqur me infrastrukturën në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, derisa kryetarit të Komunës, Avni Kastrati, Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të këtij Spitali dr. Agim Peci, stafit aty dhe të tjerëve, u ka premtuar se MSH do të bëjë angazhimet më të mëdha në mënyrë që këtij spitali t’i bëhen zgjidhje adekuate edhe me sigurimin e kuadrit, sidomos për fushat ku mungesat janë më të shprehura si në Anesteziologji e Emergjencë, e po ashtu edhe në fushat e tjera.

“MSH është në proces të rishkrimit të Ligjit të ri të Shëndetësisë dhe në këtë aspekt, ne do të gjejmë zgjidhje kreative, që do të mundësojnë që edhe Komuna e Mitrovicës të ketë kompetencë mbi këtë spital, e po ashtu, çështjen e resurseve humane do ta ngre, pa dyshim, në nivelin më të lartë të prioriteteve, duke parë kuadrin e tanishëm, mundësitë e reja për specializantë, gjithnjë sipas një projeksioni real”, tha Ministri Agani.  Qëllimi im, theksoi Ministri, është që shërbimet shëndetësore në komunën e Mitrovicës të integrohen dhe në këtë aspekt, Spitali i ri i Mitrovicës, do të jetë një qendër bashkëkohore e Kujdesit Sekondar Shëndetësor.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka falënderuar Qeverinë e Norvegjisë për investimet e bëra si dhe Ministrin Agani për qasjen e tij me prioritet për shëndetësinë në këtë komunë, dhe i ka theksuar vështirësitë të cilat e kanë përcjellë me vite, që nga paslufta shëndetësinë në Mitrovicë.

Ministri Agani ka vizituar edhe pacientët që ndodheshin në trajtim mjekësor në SR të Mitrovicës dhe pasi ka dëgjuar me vëmendje stafin e këtij spitali për shqetësimet dhe sfidat që kanë, ka premtuar se do të punojë maksimalisht që për këtë komunë të bëhen zgjidhjet e duhura në shëndetësi, derisa kërkesat e qarta të shprehura aty, vlerësoi se e ndihmojnë MSH-në që të adresojë më drejt nevojat.

“Unë e kam marrë këtë çështje si prioritet që në ditët e para të mandatit tim”, tha Ministri Ferid Agani.

Ministri ka vizituar edhe QKMF-në në Mitrovicë për t’u njohur me implementimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor në këtë qendër mjekësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor në komunën e Mitrovicës.

Gjatë vizitës në SR të Mitrovicës