Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani takon investitorë kroatë të interesuar në shëndetësi

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot në një takim Dr. Dario Sirovec, drejtor i Grupit mjekësor nga Kroacia “Ventus Pharma Med Vertebralis”, i shoqëruar nga drejtues të shëndetësisë nga komuna e Pejës.
Në këtë takim është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit publiko-privat në shëndetësi midis këtij grupi mjekësor dhe shëndetësisë kosovare në fushat e interesit të përbashkët siç janë  trajtimi terapeutik dhe diagnostik i sëmundjeve malinje, sëmundjet e sistemit mushkëror, ortopedi dhe në fushën e edukimit të vazhduar profesional.
Ministri Agani ka mirëpritur interesimin e investitorëve potencialë kroatë për investime në shëndetësinë e Kosovës brenda kornizës ligjore në fuqi dhe ka ofruar gatishmërinë e MSh-së për të lehtësuar procedurat që ndihmojnë në konkretizimin e këtij bashkëpunimi.