Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani u prit në Danimarkë nga homologia Astrid Krag Kristensen dhe Drejtoresha Regjionale e OBSH-së për Evropë, Zsuzsanna Jakab

Temë e bisedimeve me Ministren Krag ishte thellimi i bashkëpunimit në lëmin e shëndetësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, me theks të veçantë në lëmin e sistemit të informacioneve shëndetësore; ndërkaq me Drejtoreshën Jakab u shqyrtuan mundësitë  për projekte të përbashkëta të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe OBSH, përfaqësimi i Kosovës në Konferencat e OBSH-së,  si dhe kandidimi i vendit tonë për anëtarësim të plotë në këtë organizatë respektabile të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Nga fillimi i javës ndërkaq, në Kopenhagë në vizitë studimore ka qëndruar edhe delegacioni i zyrtarëve të lartë dhe ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, i kryesuar nga U.D. i Sekretarit të Përgjithshëm Dr. Gani Shabani,  i cili për së afërmi është njoftuar me sistemin elektronik të të dhënave shëndetësore në Danimarkë, në takimet e zhvilluara në institucione të ndryshme shëndetësore dhe të mbledhjes së të dhënave në Danimarkë.