Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani u shpjegon mantelbardhëve në Pejë Ligjin e ri të Shëndetësisë dhe reformën në shëndetësi

“Me Ligjin e ri të shëndetësisë do të ndodh integrimi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe 7 spitaleve rajonale brenda një shërbimi që do të quhet Shërbimi Spitalor dhe Klinik- Universitare i Kosovës”, theksoi Ministri Agani, duke i siguruar punonjësit shëndetësor të SR të Pejës, se ky është hapi i parë i reformës së sistemit shëndetësor, që do të përcillet me reformën në mënyrën e financimit të shëndetësisë, me ligjin e sigurimeve shëndetësore.

Ministri Agani shpjegoi se me Ligjin e ri të Shëndetësisë, financimi do të bëhet nga buxheti i shtetit dhe nga të hyrat që do t’i realizojë vet institucioni, pasi që me këtë ligj, punonjësit e institucioneve shëndetësore do të jenë me status të punonjësve publikë dhe të hyrat që do të realizojnë shërbimi i tyre, do të mund të përdoren prej institucionit për investime, punësim të stafit dhe pagesë të punonjësve sipas performancës që do të tregojnë ata.

Ministri Agani e ka elaboruar në detaje edhe nenin 41 të LSH-së, i cili , ka theksuar ai ka dy qëllime: të ndryshojë mendësinë  në aspektin psikologjik e krijuar që nga koha e okupimit , që ka vazhduar edhe pas çlirimit, ku një numër profesionistësh kanë vazhduar t’i shohin institucionet publike shëndetësore si të huajat dhe aspekti i dytë për të parandaluar dukurinë e keqpërdorimit me pacientët nga një numër profesionistësh që në situate të caktuara janë treguar të papërgjegjshëm, duke i orientuar ata për shërbime në sistemin privat.
“Pa këtë nen, kjo praktikë do të vazhdonte me inercion, por ne po bëjmë një prerje, duke e ofruar një alternativë të qëndrueshme për ndryshim të sistemit dhe e cila, do t’u mundësojë mantelbardhëve që të realizojnë veten e tyre, të punojnë me dinjitet dhe paguhen mirë për punën e tyre, si në sistemin privat, ashtu edhe në atë publik”, tha Ministri Agani.
Ai tha se si rezultat i seriozitetit më këtë reformë, shëndetësia më 2013 do të ketë 20 milionë euro më shumë në buxhet, prej të cilave 4.5 milionë euro do të jenë për stimulimin e profesionistëve në bazë të performancës së tyre, punësimin e 350 mantelbardhëve, prej të cilëve mbi 200 mjekë, 3 milionë euro në fondin për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, 3 milionë euro më shumë për barna, etj.

Duke kërkuar bashkëpunim dhe seriozitet maksimal nga punonjësit shëndetësor në zbatimin e ligjit që do të jetë sfida kryesore, Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani tha se do të ishte humbje e madhe të humbet kjo mundësi që i është dhënë sistemit shëndetësor me këtë ligj për të bërë reformat në sistemin shëndetësor, për të cilat, duhet lidership dhe menaxher të fortë, të cilët do t’i dinë të drejtat, por edhe përgjegjësitë e tyre.

Ministri Agani, gjatë këtij bashkëbisedimi, i është përgjigjur të gjitha pyetjeve që i kanë bërë mantelbardhët e SR të Pejës, duke ofruar argument të mjaftueshme për të hequr dilemat rreth ligjit dhe nevojës për reforma në shëndetësi.