Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani vizitoi Komunën e Vushtrrisë

 

Gjatë kësaj vizite u bisedua për bashkëpunimin midis Komunës dhe MSh-së dhe zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit

 

Prishtinë, 19.02.2014

 

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Ferid Agani,  vizitoi sot komunën e Vushtrrisë, ku u pritë nga nënkryetari i komunës z. Dibran Përçuku  me bashkëpunëtorë.

Kjo vizitë u realizua nga ministri Agani,  në kuadër  të vizitave që po u bën komunave  të vendit, me qëllim  të fuqizimit të  bashkëpunimit.

 

Ministri Agani e njoftoi nënkryetarin dhe zyrtarët e komunës së Vushtrrisë për reformat që po bëhen në shëndetësinë kosovare. Zyrtarët komunal, u njoftuan, po ashtu, për vizitën që do t’u bëhet nga një delegacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, që shihet si një mundësi për investime kapitale nga ana e tyre në këtë qytet.

 

Ministri Agani, theksoi se një prej arsyeve të vizitës në Vushtrri është edhe  kërkesa për respektimin  e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, duke potencuar rëndësinë e tij për ruajtjen e shëndetit të qytetarit. Ai kërkoi nga autoritetet komunale në Vushtrri që të angazhohen në komunën e tyre për respektimin e këtij ligji.

 

Nënkryetari i Vushtrrisë, njoftoi ministrin Agani për projektet e përfunduara dhe ato që synojnë që t’i realizojnë në të ardhmen. Ai u zotua se do të merret shumë seriozisht kërkesa për të respektuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit.

 

Paraprakisht,  Ministri Agani, vizitoi fshatin Skromë të Vushtrrisë, ku po implementohet një program  nga Kryqi i Kuq i Kosovës, në bashkëpunim me UNICEF-in, për edukimin shëndetësor të popullatës së kësaj ane.

 

Ministri gjatë kësaj vizite shprehu falënderime për punën që po bëhet me këtë program duke e parë të nevojshme që programe të tilla të realizohen edhe nëpër fshatrat e tjera të kësaj komune dhe më gjerë.