Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Agani: Zhvillimi i resurseve njerëzore në shëndetësinë kosovare ndikon në perspektivën dhe vizionin e kuadrove mjekësore

“Fillimisht kisha për të theksuar zhvillimin e dy konkurseve për specializime Nga dy konkurset janë ndarë 503 specializime, prej tyre 341 për mjekësi të përgjithshme, 103 për stomatologji, 7 për farmaci dhe 13 specializime të ndryshme me financim nga MSH-së për veteranë të luftës, 26 specializime për nevoja të Spitalit Regjional të Mitrovicës, 18 specializime për herë të parë për mjekët dhe stomatologët për komunën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës si dhe një specializim për mjekët shqiptarë nga Mali i Zi. Nga 503 specializimet e ndara në dy konkurset e fundit, 231 janë me finacim nga MSH ndërsa 272 janë me vetëfinacim. Struktura gjinore e specializimeve të ndara është 247 femra dhe 255 meshkuj. Duke pasur parasysh numrin e specializimeve të ndara nga konkurset paraprake, MSH aktualisht është duke i mbështetur në programin e shkollimit specialistik gjithsejt 720 specializantë. Këto dy konkurse kanë ndikuar në masë të madhe që mjekët, stomatologët dhe farmacistët tanë të kenë një perspektivë më të qartë në vendin e tyre dhe kjo periudhë e tranzicionit me këtë gjendje të emergjencës shëndetësore, drejt një sistemi bashkohor të menaxhimit publik të shëndetësisë kosovare do të tejkalohet më lehtë, duke ju falenderuar këtyre masave. Poashtu jemi në process të riorganizimit të Bordit për Shkollim Specialistik, emërimit të Komiteteve të reja specialistike, ndryshimit të programeve specialistike në kuptim të angazhimit të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë në procesin e ligjëratave për specializantë, që ka munguar viteve të kaluara dhe këtë obligim e kemi paraparë me Statutin e ri të QKUK-së” tha Ministri Agani.

Problem akut, tha Ministri Agani, paraqet edhe papunësia egzistuese e kuadrit të përfunduar specialistik dhe lidhur me këtë ne në muajt e fundit kemi ndërrmarrë një aksion për evidentimin e të gjithë mjekëve specialist të papunë dhe kemi konstatuar se bëhet fjalë për rreth 150 mjekë specialist të papunë. Për ta zbutur këtë problem kemi arritur të sigurojmë në fillim të vitit pagat për 64 specialistë. Konkursi është në fazën përfundimtare të vlerësimit, dhe së shpejti do të shpallen rezultatet. Kurse për 86 specialistët tjerë të papunë do të hapim konkurs për pranimin e tyre pas miratimit të Ligjit të ri të Shëndetësisë dhe poashtu do të hapim konkurs për pranimin e 300 mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve të cilët kanë përfunduar studimet dhe me 1 janar të vitit 2013 në Kosovë nuk do të kemi mjekë, stomatologë, farmacistë të papunë.

“Natyrisht se përkujdesi ndaj resurseve njerëzore nuk përfundon vetëm me punësimin e specialistëve dhe mundësinë e shkollimit specialistik, por kemi një angazhim të vecantë kur është në pyetje zhvillimi i vazhduar profesional i kuadrit mjekësor. MSH-së ndan fonde të veçanta për trajnime individuale të profesionistëve shëndetësorë në kuadër të programeve të veçanta dhe njëkohësisht mjete të veçanta për shoqatat profesionale për organizimin e konferencave dhe simpoziumeve shkencore. Egziston një përkushtim sistematik i vendosur në rrafshin e avansimit të resurseve njerëzore në shëndetësisnë kosovare dhe të kemi ndryshime evidente, mendoj se ia kemi arritur” tha Ministri Agani