Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Bukoshi bashkëbisedoi me mantelbardhët në Pejë e Gjakovë

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr, Bujar Bukoshi , i ka inkurajuar sot punëtorët e Spitalit Rajonal të Pejës dhe ata të Spitalit Rajonal të Gjakovës që të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të sistemit shëndetësor të vendit dhe të ofrojnë shërbime sa më korrekte për pacientët e tyre, pavarësisht telasheve që ekzistojnë në shëndetësi dhe lënies anash të këtij sektori sidomos në aspektin buxhetor.

Ministri Bukoshi theksoi se MSh  është e angazhuar që të konsolidohet puna e spitaleve rajonale, ashtu që të vendoset një lloj balansi i drejtë në raport me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe qendra e vetme terciare në vend të mos jetë e ngarkuar me pacientë, të cilët shërbimet mjekësore, mund t’i marrin edhe në spitalet rajonale.

“Nuk është kurrfarë fshehtësie të thuhet ajo që në fakt ekziston, se shëndetësia nuk është trajtuar si prioritet, sidomos në aspektin financiare dhe kjo ka bërë që të ketë shumë telashe, përballë kërkesave legjitime që popullata jonë i ka që të këtë një shëndet më të mirë”, ka theksuar ministri Bukoshi.

Bashkë me Sekretarin Permanent të MSH-së, Dr. Ilir Tolaj , ministri Bukoshi ka zhvilluar sot bashkëbisedime me mantel-bardhët dhe menaxherët e tyre në Spitalin Rajonal të Pejës dhe atë të Gjakovës, ku nga drejtori i SR të Pejës, dr. Skënder Dreshaj dhe U. D. i drejtorit të SR të Gjakovës  Ardian Jusufi, është njohur nga afër me rezultatet e punës në këto dy institucione, si dhe me problemet aty ekzistojnë, ku ndër kryesoret u theksua mungesa e mjeteve materiale sidomos për mallra dhe shërbime, nevoja për servisim të aparaturës dhe investime të reja në aparaturë si dhe mungesa e kuadrove, sidomos për disa drejtime sikur janë anesteziologjia, emergjenca dhe të tjera.

Megjithatë, Ministri Bukoshi, ka shprehur respekt për punën e mirë të bërë nga mantelbardhët në këto dy spitale dhe ka theksuar se Ministria brenda mundësive që ekzistojnë do të ofrojë mbështetjen logjistike dhe profesionale që disa çështje të zgjidhen.

“Unë mund të ju siguroj që për këtë nuk mungon përkushtimi në MSH, por nuk mund të ju premtoj se këto çështje do të zgjidhen menjëherë, sepse në një sistem të lënë pas dore dhe i cili për shkak të mos trajtimit si duhet sidomos nga aspekti financiar rrezikon edhe të kolabojë , por ne do të bëjmë përpjekjet tona që përfundimisht të kuptohet që shëndetësia duhet të vihet në qendër të prioriteteve”, u ka thënë sot ministri Bukoshi mantel-bardhëve në Pejë e Gjakovë.

Ai ka theksuar se Ministria do të organizojë edhe një konkurs tjetër për përfshirje të mjekëve të rinj në specializime, derisa i ka quajtur të pakuptueshme pengesat burokratike që manifestohen në segmente të caktuara të sistemit, e të cilat pengojnë në rritjen e efikasitetit në punë.

“ Po e ritheksoj se esenca e zgjidhjes së problemeve në shëndetësi është menaxhimi më i mirë, dhe trajtimi si prioritet i shëndetësisë në nivelet më të larta qeveritare”, theksoi Ministri.

Në interesim të mediave, pas vizitave në dy spitalet, Ministri është përgjigjur edhe në pyetje që kishin të bënin me garën zgjedhore brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.