Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Bukoshi mori detyrën në krye të Ministrisë së Shëndetësisë

“Jemi të vetëdijshëm se sfidat në shëndetësi janë të mëdha, prandaj do të punojnë që ta ngremë dinamikën e punës dhe t’i maksimalizojmë veprimet së bashku për përmirësimin e gjendje, sepse shëndetësia pa dyshim që meriton një trajtim tjetër sidomos në aspektin financiar”, tha ministri Bukoshi. Është koha e fundit, shtoi ai, që shëndetësia të trajtohet si prioritet.
Pasi është njoftuar nga zëvendësministrja dhe U. D. i Sekretarit Permanent për punët e bëtë në shëndetësi, ministri Bukoshi i është përgjigjur interesimit të mediave për punën dhe prioritet e tij, duke theksuar se askush nuk duhet të presë mrekulli brenda një kohe në shëndetësi, por të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për të kryer punët me përgjegjësi.
Ministri Bukoshi tha se si profesionist që është i lidhur me shëndetësinë që tri dekada e njeh mirë këtë sektor dhe do ta punojë me transparencë të plotë në arritjen e prioriteteve dhe dyert e ministrit do të jenë të hapura në çdo kohë për bashkëpunim dhe për ata që duan t’i kontribuojnë shëndetësisë kosovare.