Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Bukoshi priti drejtuesit e HANDIKOS-it

Prishtinë, 20. 07. 2010

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Bujar Bukoshi dhe Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit Permanen,t dr. Haxhi Kamberi, pritën sot përfaqësuesit e organizatës joqeveritare HANDIKOS, me të cilët kanë diskutuar për problemet të cilat e preokupojnë kategorinë e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Afrim Maliqi, drejtor i HANDIKOS-it, e ka njoftuar Ministrin Bukoshi me rrjetin e kësaj organizate, e cila funksionon në 26 komuna të Kosovës dhe siguron rreth 40 mijë trajtime fizikale dhe të natyrave të tjera për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, ndërkohë që nga Ministria e Shëndetësisë, është kërkuar përkrahje për zbatimin e përgjegjësive nga fusha e shëndetësisë që dalin nga Plani i veprimit i Qeverisë së Kosovës për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Në këtë rrafsh, Maliqi ka theksuar rëndësinë e ndihmës së MSh-së në krijimin e kushteve për hapjen e një Njësia Spinale në kuadër të QKUK-së, ku do të trajtoheshin personat me aftësi të kufizuara dhe me probleme të natyrës paraplegjike.
Ministri Bujar Bukoshi ka inkurajuar krerët e HANDIKOS-it për punën që e bëjnë, ndërsa ka theksuar se Ministria do të angazhohet që në kuadër të zbatimit të partneritetit publiko-privat të krijojë infrastrukturën që një Njësia Spinale të krijohet në Kosovë, me qëllim që personave me aftësi të kufizuara t’u ofrohen shërbimet që i meritojnë.
Ai ka thënë se institucionet dhe shoqëria kosovare duhet të tregojnë përgjegjësi dhe kulturë, në mënyrë që kjo kategori e qytetarëve të Kosovës, të mos mbetet e margjinalizuar.