Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Bukoshi priti radiologun amerikan Richard Hirsh

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, priti sot radiologun e njohur amerikan nga Ohajo (SHBA), Richard Hirsh, i cili me ekipin e tij po qëndron në një mision për zhvillimin e kapaciteteve mjekësore për radiologji dhe mamografi në Kosovë.
Projekti Trajnues i “Radiology Mammography International (RMI)” për Kosovë është caktuar të realizohet prej 29 -11 shtator 2010. Në kuadër të këtij projekti janë 4 komponente:  Donacione dhe trajnim në mamografi;  trajnim në kirurgjinë e gjirit;  edukim të popullatës për shëndetin e gruas, në veçanti shëndetin e gjirit dhe trajnim në kujdesin paliativ.
Ministri Bukoshi e ka njoftuar radiologun amerikan dhe ekipin e tij me potencialet që ka aktualisht Kosova në fushën e Radiologjisë  dhe Onkologjisë, ndërsa ka theksuar se kjo vizitë po realizohet në kohën e duhur, pikërisht kur po finalizohet procesi i radioterapisë në Kosovë.
Ministri i ka dhënë mbështetje projektit, për aftësim të radiologëve kosovarë  nga ekipi trajnues i RMI dhe ka siguruar se Ministria e Shëndetësisë ka shumëfishuar angazhimin në trajtimin e sëmundjes së kancerit.
Në kuadër të këtij projekti përfshihet donacioni i pajisjes së Mamografisë, donacion që do t’i jepet Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)dhe Spitalit Rajonal në Pejë.
Projekti i trajnimit në mamografi për Kosovë është aprovuar pas vizitës vlerësuese të suksesshme të Dr. Hirsh dhe ekipit të tij me 15-16 tetor 2009, kur është vlerësuar se Kosova ka potencial për të pranuar projektin e mësimdhënies së mamografisë.